Ballina Flash

Rrëzimi i avionit në Iran/ Ambasadori ukrainas falënderon Kryesinë shqiptare dhe vendet e OSBE-së për mesazhet

TIRANË, 9 janar /ATSH/ -Rrëzimi i avionit ukrainas në afërsi të Teheranit ishte pjesë e tryezës së sotme në OSBE, ku Shqipëria mori kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë si dhe prezantoi programin dhe përparësitë e saj në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

Ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Igli Hasani në nisje të tryezës së sotme, shprehu trishtimin dhe tronditjen për personat që humbën jetën dje në fluturimin nga Teherani në Kiev. “Do të doja t’u shprehja ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, shumë prej të cilëve vijnë nga vendet që përfaqësohen në këtë tryezë”, tha Hasani.

Ambasadori Hasani ftoi edhe ambasadorin e Ukrainës pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Yevhenii Tsymbaliuk për të mbajtur një fjalë.

Tsymbaliuk tha se, “176 jetë të pafajshme u humbën. Qytetarë të Iranit, Kanadasë, Ukrainës, Afganistanit, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Rrethanat e kësaj katastrofe janë ende të paqarta. I takon tani ekspertëve të hetojnë dhe të gjejnë përgjigje për pyetjet se çfarë e shkaktoi përplasjen. Për ta bërë këtë ekspertët duhet të kenë suportin maksimal. Jemi të hapur që të marrin pjesë të gjithë shtetet”.

“Falënderoj Kryesinë e Shqipërisë dhe të gjithë të tjerët që shprehën ngushëllimet e tyre dje dhe mesazhe, letra, telefonata dhe deklarata”, tha ambasadori ukrainas.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryesimi i OSBE-së/ Cakaj: Shqipëria, promovim sigurisë dhe të drejtave të mbi 1 miliard qytetarëve
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Nuk do të kem më… WhatsApp?!