CHENGDU, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Kina organizon sot një samit me Japoninë dhe Korenë e Jugut në një kohë që dy fqinjët e Pekinit po përpiqen për një afrim në sfondin e pasigurisë rreth programit bërthamor koreano-verior.
Samiti tripalësh, që do të zhvillohet deri nesër në Chengdu (jugperëndim) do të shënojë takimin e parë mes kryeministrit japonez, Shinzo Abe dhe presidentit koreano-jugor, Moon Jae-in që prej 15 muajsh, pas një përshkallëzimi të fortë të tensioneve mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes Seulit dhe Tokios kanë prekur fundin këto muajt e fundit, për sa i përket çështjeve tregtare dhe mosmarrëveshjeve të tjera të lidhura me grindjet prej dekadash mbi pushtimin e gadishullit korean nga Japonia (1910-1945).
“Si fuqi e madhe rajonale, Kina shpreson t’i tregojë botës se me forcën diplomatike ajo mund të bashkojë rreth të njëjtës tryezë drejtuesit japonezë dhe koreano-jugorë”, theksoi Haruko Satoh, një specialiste e politikës kineze në Universitetin e Osakas, në Japoni.
Sipas saj, bëhet fjalë gjithashtu për Pekinin për të kthyer vëmendjen tek problemet e brendshme, veçanërisht manifestimet pro-demokracisë që kanë goditur Hong-Kongun që prej gjashtë muajsh.
Influenca pozitive që mund të ushtrojë Pekini mbi fqinjët mbetet për t’u parë./ /ec/ a.jor.























