Ballina Aktualitet

VIDEO/ Voda për ATSH-në: Situata drejt normalizimit, 14 firma private të gatshme për të filluar me riparimin e godinave

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklaroi sot se “situata në Durrës po shkon drejt normalizimit, ndërsa nga dita e djeshme në bashki kanë filluar të mbërrijnë kërkesa të lejeve për riparime të dëmeve nga tërmeti, nga qytetarë dhe biznese”.

Në një prononcim për ATSH-në, Voda theksoi se “sot është dita e gjashtë pas tërmetit ne që në mëngjes e nisim punën , unë si kryetare e shtabit në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e shtabit pak më parë kisha në takim drejtorin e Autoritetit Portual në Durrës, Pirro Vengu dhe pjesa tjetër e shtabit janë në terren”.

“Sa i përket situatës ajo po shkon drejt normalizimit, ende kemi nevojë për çadra dhe ndihma. Ndihma të cilat duhen menaxhuar. Sapo koordinuam pak më parë bashkë me drejtorin e Autoritetit Portual menaxhimin e e ndihmave që do të mbërrijnë në portin e durrësit.  Ndërsa pjesa tjetër menaxhohet nga institucionet përkatëse dhe prefekti i qarkut të Durrësit. Pjesa tjetër ka të bëjë me sistemimin e kontejnerëve që kanë ardhur dhe dje tërë ditën është bërë instalimi i tyre në Manëz. Janë 15 kontejnerë me kushte shumë të mira ku familja mund të strehohet në standarde të mira jetese”, – tha Voda.

Zv/ministrja Voda u shpreh se “pastrimi i inerteve është një tjetër sfidë, për shkak se numrin më të madh të pallateve të shembura, 28, Durrësi e kishte sot dhe unë kam akt konstatimi, e të tjera që kanë ardhur nga grupet e verifikimit në terren dhe ndoshta për ditë të tjera shembja do të vazhdojë. Është një sfidë më vete pastrimi i inerteve ka një mobilizim të madh të inspektoriateve vendore dhe IKMT-së, por edhe të gjithë institucioneve shtetërore që do të ndihmojnë në pastrimin e tyre, por pozitiv është fakti që kemi firma ndërtimi vullnetare biznese, të cilat ofrojnë mjetet e tyre për pastrimin e inerteve”.

“Sapo u vura në dijeni që ka ardhur një shkresë, pra ofrim ndihme nga një kompani private, për pastrimin e inerteve. Sigurisht do të vendosim kontakt me biznesin në fjalë dhe do ta adresojmë në një objekt të caktuar që të fillojë pastrimi i inerteve. Sfidat janë të shumta, dinamika është e përgjithshme, grupet e punës që në orët para të mëngjesit kanë dalë në terren. Kemi qytetarë që duan të riparojnë shtëpitë e tyre. Që nga dita e djeshme në bashkinë e Durrësit kanë filluar të mbërrijnë kërkesa të lejeve për riparime. Pra në urbanistikën e Durrësit kemi të depozituara kërkesa për leje nga qytetarë, por edhe nga biznese”, – theksoi Voda për ATSH-në.

Zv/ministrja Voda u shpreh se “mos të harrojmë që në bazë të porosive që la kryeministri Rama në takimin me bizneset në Durrës, një nga porositë ishte që investitorët pallatet e të cilëve kanë pësuar dëmtime duhet të marrin përsipër gjithë kontributin e tyre në mënyrë që qytetarëve tu riparohen banesat dhe të futen sa më shpejt në shtëpi. Deri ditën e djeshme ne kemi 14 biznese , firma private që kanë shprehur gatishmërinë për të filluar me riparimin e godinave që janë ndërtuar prej tyre”.

Sfida, vijoi Voda, qëndron edhe në drejtorinë e urbanistikës këtu në bashkinë e Durrësit ku bashkë me kryetarin e deleguar të bashkisë së DurRësit, Zhulien Varfaj dhe me stafin e bashkisë po mundohemi të shikojmë procedurën që ti lehtësojmë ato në mënyrë që të fillojë lëshimi i lejeve të para për riparime sa më shpejt dhe të mos kemi qytetarë të shqetësuar që duan të futen në banesat e tyre”.

“Është një proces dinamik, por po shkojmë në rrugë të mbarë, dhe tregon që po shkojmë drejt normalizimit përderisa qytetarë dhe biznese po kërkojnë leje pranë urbanistikës për të vazhduar me riparimin e banesave”./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontribut pas tërmetit/ Një grup arkitektësh dhe inxhinierësh shqiptarë nga Nju-Jorku vullnetarisht në Shqipëri
Artikulli tjetërTEKNOLOGJI – Rekord teknologjik, Wi-Fi në 700 kilometra distancë