https://www.facebook.com/edirama.al/videos/497333720868615/
TIRANË, 27 nëntor/ATSH – Kryeministri Edi Rama ka takuar sot ekipet e mbërritura nga Franca dhe Izraeli për t’iu bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit që nuk e kanë ndalur asnjë moment punën në gërmadhat ku mendohet se ka ende jetë njerëzish. Duke i besuar eksperiencës më të lartë të këtyre skuadrave elitë në raste të tilla fatkeqësish natyrore, Kryeministri ka qetësuar edhe familjarët e të zhdukurve që presin ende me shpresë prej tyre për të gjetur të gjallë nën rrënoja të dashurit e tyre.
Kryeministri së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, pa nga afër operacionin për shpëtimin e të paktën dy personave që mendohet te kenë mbetur nën pallatin të cilit i janë shembur gati dy kate nën tokë në qytetin e Durrësit.
Numri një i Policisë tha se me ndihmën e vyer të izraelitëve dhe francezëve janë mundur deri më tani të shpëtohen dy jetë, ndërsa shpresë ka akoma për të gjetur ende të gjallë dy persona të tjerë.
“Me forcat franceze dhe izraelite kemi nxjerrë dy persona të cilët janë në jetë. Mendohet që mund të jenë edhe dy persona brenda dhe janë futur poshtë. Është shumë e vështirë për faktin sepse kati i parë dhe kati i dytë është bërë zero,” shprehet Veliu.
Kryeministri tha se fatkeqësia më e madhe nën këto rrënoja ka ardhur edhe për shkak të batërdisë njerëzore e cila ka bërë që themelet e këtij pallati të tronditen më lehtë nga tërmeti tragjik.
“Kjo është një godinë e komunës së komunizmit. Çfarë kanë bërë tani? E kanë çarë të gjithë pjesën poshtë për ta bërë dyqan, për ta bërë kafe, e kanë gërryer dhe ja, shiko çfarë ndodh,” tha Rama.
Ekipet elitë të dërguara nga Presidenti francez dhe kryeministri i Izraelit për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në këtë moment tragjik kanë ende shpresë për të mbijetuar të tjerë.
“Ne jemi një njësi franceze dhe po përpiqemi të rikuperojmë një të mbijetuar potencial të mbetur në kurth në nivelin e katit të mëposhtëm që është shembur pikërisht këtu dhe po përpiqemi nga të dyja anët e ndërtesës për të hyrë dhe për të gjetur personin e humbur. Po bëjmë gjithçka është e mundur për ta ndihmuar,” shprehet drejtuesi i ekipit francez, i cili pohon se, “edhe pas 48 orësh ka përsëri shanse për të gjetur të mbijetuar”.
Kryeministri Rama ka qetësuar edhe familjarët që më sytë nga skuadrat e shpëtimit presin me lot të gjejnë të dashurit e tyre, nëse fati dhe Zoti ka qenë me ta gjatë këtyre orëve të vështira, të dalin të gjallë nga rrënojat e tmerrit.
“Këta janë super skuadër. Unë tani po flisja me shefin e skuadrës. I thashë për çështjen e shpresës për jetë. Më tha, “për sa kohë nuk kanë kaluar minimumi 48 orë, nuk ka asnjë problem. Izraelitët dhe francezët janë ndër më të mirët në botë,” shprehet Kryeministri. /a.sh./ /a.g/























