Ballina Ekonomi

Mbështetje për Portin e Durrësit, Zingraf: Vlerësojmë klimën pozitive për biznesin gjerman

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf vizitoi sot Portin e Durrësit, ku vlerësoi klimën pozitive të ofruar ndaj biznesit gjerman.

Ai u prit në një takim nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës,  Pirro Vengu, të cilit i shprehu gatishmërinë për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me Portin e Durrësit, si një ndër aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe me potencial të madh për mbarë rajonin.

Pas një pasqyrimi mbi performancën financiare dhe kapacitetet që ofron Porti i Durrësit, kreu i APD-së, theksoi rëndësinë e investimeve në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës portuale dhe punën e nisur për përmirësimin e standardeve mjedisore në të gjitha hapësirat e portit.

Vengu e njohu ambasadorin me hapat që ka ndërmarrë Autoriteti Portual Durrës për të përftuar ekspertizën e disa prej agjencive kryesore të shteteve të Bashkimit Europian (ku spikasin Gjermania dhe Franca), me fokus ligjshmërinë, menaxhimin e integruar të kufirit dhe koordinimin më efikas të agjencive ligjzbatuese në hapësirat portuale.

Delegacioni gjerman në mbyllje të takimit në ambientet e APD-së u ndal në Terminalin Perëndimor, ku u njoh nga afër me kapacitetet përpunuese të portit.

Në këtë vizitë, ambasadori gjerman shoqërohej nga zëvendësambasadori dhe dy drejtuesit e kompanive koncesionare gjermane që operojnë në Portin e Durrësit.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLIBI – “Ocean Viking” dhe “Open Arms” shpëtojnë rreth 300 migrantë
Artikulli tjetërIZRAEL – Netanyahu dënon akuzat e rreme