TIRANË, 11 nëntor/ATSH/- Rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun ndërkombëtar do të mbështet nëpërmjet granteve nga Fondi i Konkurrueshmërisë.
Sipas p/buxhetit për vitin 2020, rreth 60 biznese pritet të mbështeten me fonde në periudhën afatmesme për të përmirësuar kapacitetet e tyre, në mënyrë që ato të jenë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave të tregut ndërkombëtar, si dhe të rrisin punësimin.
Për vitin 2019 qeveria akordoi një fond prej 28 milionë lekësh për të financuar një skemë granti për ndarje të kostove në ndihmë të NVM-ve dhe përpjekjeve të tyre për të hyrë në tregun e huaj.
Përmes këtyre fondeve kompanive shqiptare iu sigurua financimi për aktivitete që lidhen me marketingun për eksport.
Në Shqipëri SME-të janë shtylla kurrizore e ekonomisë. Sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99.9% të totalit të sipërmarrjeve, të cilat gjenerojnë 2/3 e vlerës së shtuar dhe mbi 81.6% e punësimit.
/a.gjonaj/j.p/























