Ballina Aktualitet

Vakancat në Kushtetuese, KED i përgjigjet Presidentit: Dorëzimi i dokumenteve sipas radhës që dikton Kushtetuta

TIRANË, 7 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka dorëzuar sipas radhës që dikton Kushtetuta dokumentacionin sa i takon listës emërore të kandidatëve për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ditën e sotme, datë 07.11.2019, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese””-, njofton zyra e shtypit e KED.

“Në këtë mbledhje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në dijeni të qëndrimeve të Presidentit të Republikës të shprehura me anë të shkresës nr. 3535/2 datë 05.11.2019 , me lëndë “Mbi zgjedhjen/emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sipas radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji nr. 8577/2000”, administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me nr. 713 protokolluar, datë 06.11.2019”.

Në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve, Këshilli vlerësoi t’i përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019, për disponibilitetin e dërgimit të të cilave KED ka vënë në dijeni këtë organ emërtese me Raportin e Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e këtij vendi vakant, përcjellë pranë institucionit të Presidentit me shkresën nr. 553 prot. datë 08.10.2019″, përfundon njoftimi.

Më herët, Presidenti Ilir Meta, i cili është në kufijtë e afatit kushtetues për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese i ka dërguar një shkresë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që ka renditur kandidatët për anëtarë që duhet të zgjedhë Presidenti dhe Kuvendi. Meta nëpërmjet kësaj letre zyrtare i ka kërkuar KED-së që të pezullojë procesin të paktën për institucionin e tij. Sipas Presidencës duhet të vepronte fillimisht Kuvendi dhe më pas Presidenti. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOST remont në linjën 110 kV Fier-Selenicë
Artikulli tjetërObjektet e ndërtuara para 50 vjetësh do t’i nënshtrohen procesit të auditimit teknik