Ballina Flash

FOTO/ Më shumë investime për Elbasanin, 100 ditët e para të kryebashkiakut Llatja

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/-  E mori detyrën në datën 2 gusht si Kryetar i bashkisë së Elbasanit, por pas një vere të nxehtë, fillim vjeshta nisi me një revansh punësh për Gledian Llatja.

Në këto 100 ditët e para si kryetar në një bashki të madhe me 12 njësi administrative dhe me shumë lagje të mëdha në qytet, duket se Llatja ishte mëse i përgatitur, jo vetëm nga aftësitë e tij të larta profesionale , por falë edhe përvojës së punës së tij të mëparshme si Prefekt.

Nisja e vitit të ri shkollor e gjeti qytetin e Elbasanit me shumë shkolla të rikonstruktuara, detyrë e lënë nga Llatja para se ky proces të niste. Gjatë këtyre 100 ditëve përfundoi rikonstruksioni i shkollës 9 – vjeçare “ Bardhyl Popa” u mbyll cikli i rikonstruksionit te shkollave profesionale në Elbasan, me kushte bashkëkohore, infrastrukturë dhe laboratore.

Së shpejti në Elbasan do të hapet një çerdhe e re, Nr.4, gjithashtu mbaron rikonstruksioni i 32 shkollave dhe kopshti Nr 11.

Gjatë këtyre 100 ditëve të para të mandatit të tij si kryetar bashkie, Llatja ka pritur në zyrën e tij shumë ambasadorë, duke i kërkuar këtyre të fundit bashkëpunim, më shumë investime për Elbasanin, duke ja paraqitur si qytetin e arsimit dhe kulturës i cili ofron dhe resurse në fushën e turizmit.

Duke kërkuar më shumë për elbasanasit, të cilët e zgjodhën të drejtojë qytetin e tyre, Llatja nuk ka lënë jashtë vëmendjes së tij edhe investimet që kërkonin zgjidhje imediate në qytet.

Gjatë këtyre 100 ditëve të para nisi rikonstruksioni i Përroit të Zaranikës, i cili konsiderohej si problematika kryesore e pjesës më të madhe të banorëve të Elbasanit.

Kanë nisur tashmë punimet në rikonstruksionin e pritave mbrojtëse të përroit të Zaranikës, i cili i vjen në ndihmë më shumë se 50 mijë banorëve që rrezikoheshin periodikisht nga përmbytjet.

Gjithashtu një tjetër investim i madh do të nisë në qytet, vetëm pak ditë më parë Llatja nënshkroi marrëveshjen me KfW, BE, SECO dhe AKUM në lidhje me një tjetër investim të madh në Elbasan, atë të Ujësjellës Kanalizime. Në fillim të vitit 2020 nis një investim kolosal në modernizimin dhe optimizimin e infrastrukturës të UKE, duke i dhënë kështu zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të banorëve të Elbasanit.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ku janë vetë banorët ata të cilët vendosin prioritetet për investime ishte një tjetër vlerë e kryer me sukses nga Llatja gjatë 100 ditëve të tij të para si kryetar.

I kudogjendur në rast zjarre dhe tërmeti, pranë fëmijëve të kopshteve, dhe nxënësve të shkollave, pranë ambienteve publike, për një mjedis të pastër, i shoqëruar nga ministra dhe deputetë, Llatja ka premtuar gjithnjë se do të jetë më pranë bashkëqytetarëve të tij, për ta bërë Elbasanin qytetin e merituar për ta.

Duke u ndalur tek punët që ka bërë, Llatja flet edhe për vizionet e të ardhmes së afërt, dhe për shumë projekte që sipas tij do të realizohen në vijim të mandatit të tij.

“Edhe pse janë bërë shumë ajo që duam të bëjmë përveç mirëmbajtjes, pastrimit, restaurimit apo mbjelljes, kemi projekte që duam ti fusim tek buxheti i vitit 2020.
Jemi gati në financim për projektin e rrugës së varrezave duke bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit në këtë aks rrugor. Ajo qe kemi dashur është të pastrojmë qytetin. Një tjetër projekt është edhe rivitalizimi i Kodrës së Krastës, i cili përfshin Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Po ashtu edhe me mbështetjen e qeverisë Japoneze, një projekt shumë të madh i cili synon mbjelljen e shumë hapësirave bosh brenda parkut. Kjo për të garantuar gjelbërimin e plotë sipas të gjithë standardeve të parkut, mbushjen e parkut edhe me kënde sportive. Një tjetër projekt është edhe krijimi i një Lungo Fiume , duke qenë se përshkohemi nga Lumi Shkumbin, projekt që e kemi për qytetin tonë i cili nis nga Bishti i Krastës deri pranë varrezave”., thekson kryebashkiaku Llatja.

Duke pasur mbështetjen e qeverisë dhe të vetë kryeministrit Edi Rama, si edhe të deputetëve të PS-së në qarkun e Elbasanit, Llatja shpreh bindjen se të gjitha projektet do të jenë të suksesshme./m.s/k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShpallen rezultatet përfundimtare, Nisma mbetet jashtë parlamentit
Artikulli tjetërBSH: Kursi i këmbimit i stabilizuar, luhatjet të diktuara nga faktorët sezonalë