TIRANË, 26 tetor/ATSH/ “Interesi i përbashkët i Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit është integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe ky interes duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë”, deklaroi sot kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Paqes dhe Sigurisë për Europën Juglindore që po zhvillohet në Tiranë.
Kurti mbajti fjalën e rastit në këtë samit, duke folur për paqen dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit dhe më gjerë, ndërsa theksoi se “ndihet si në shtëpi edhe në Tiranë, si në Prishtinë”.
“Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme e cila më tutje mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqin, por edhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha janë ndarja dhe përçarja”, tha Kurti.
Ndaj, sipas tij, “samite të tilla janë të vlefshëm për të ardhmen”. “Njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi, kjo është detyra jonë kryesore: kudo që mundemi t’i bëjmë njerëzit bashkë. Angazhimi për paqen garanton përparimin”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, Kurti tha se “para 30 viteve ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së Ftohtë”. “Në vend të një muri të madh, tani kemi shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh. Për t’i hequr këto mure të vogla që na ndajnë, është e domosdoshme të themi që kemi nevojë për paqe”, tha ai.
Sipas Kurtit, “është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive vlerat e përbashkëta”. “Republika e Kosovës, e Shqipërisë, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE, në NATO. Pikërisht ky, interesi ynë i përbashkët, duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që stabiliteti afatgjatë të jetë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes vendeve tona”, tha Kurti.
Në Kosovë, ai theksoi se “shqiptarët, serbët e të gjitha pakicat thonë njëzëri se preokupimet kryesore janë punësimi dhe drejtësia”.
“Të rinjtë duan vende pune që të fitojnë me djersën e tyre, dhe duan drejtësi të mos ketë të diskriminuar dhe të privilegjuar. Me zërin e qytetarëve që kemi dëgjuar, si Vetëvendosje kemi arritur të fitojmë zgjedhjet, dhe tashmë puna më e madhe ndodhet para nesh: T’i plotësojmë zotimet tona”, tha ai./m.m/ /a.g/























