TIRANË, 25 tetor /ATSH/ -Komuniteti shqiptar në krahinat e ndryshme të Italisë do të ketë mbështetjen e një qendre të re të shkëmbimit kulturor dhe shkencor.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko zhvilloi një takim me senatorin Paulino Ucchielli, kryetar i Bashkisë së Vallefoglia, Itali dhe presidentin e shoqatës shqiptare në Itali “Agimi”, Edmond Kumaraku.
Majko thekson se gjatë takimit u bisedua për mundësinë e një bashkëpunimi institucional, me qëllim hapjen e një qendre të shkëmbimit kulturor dhe shkencor në “Palazzo Albani”, pallati mbretëror i familjes Albani me origjinë shqiptare në Urbino.
“Funksioni i kësaj qendre do të jetë mbështetja e komunitetit shqiptar në krahinat e ndryshme të Italisë si dhe mundësia e krijimit të shkëmbimeve kulturore dhe shkencore midis institucioneve”, shprehet ministri Majko.
/gj.mima/ /a.g/






















