“Festa e ullirit” në Roskovec, promovim prodhimit vendas dhe traditës

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ – “Festa e Ullirit” në Roskovec synon promovimin e prodhimit vendas, por edhe të traditës e monumenteve të kulturës.

E shndërruar tashmë në një festë tradicionale, “Festa e ullirit”, tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë drejt kësaj zone, e njohur po ashtu edhe për monumentet shekullore të kultit, siç është kisha 700-vjeçare e Shën Kollit.

Festa Lokale e Ullirit promovon bukuritë natyrore të Kurjanit, kulturën, traditën, veç të tjerash dhe prodhimet bujqësore biologjike, me qellim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit festa filloi me maratonën, e cila starton nga qendra e prodhimit të Sapunit Organik Roskoveci, në Vidhisht dhe përfundon në Kurjan. Banorët e Roskovecit do të kenë mundësinë të testojnë veten për 9.2 km, ndërkohë që aktivitete të tjera janë programuar për ditën e sotme.

“Mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, aty ku natyra ka falur gjithë bujarinë e saj, në Kurjan, të tregojmë edhe një herë se roskovecarët dinë të jenë bashkë dhe dinë të promovojnë bukuritë dhe produktet e zonës”, ishte thirrja e kryetares së bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, e cila ftoi sot për sa më shumë pjesëmarrje në këtë festë.

Festa lokale e Ullirit synon po ashtu të promovojë edhe bukuritë natyrore të Kurjanit, kulturën, traditën e monumentet e kulturës.

Sipërfaqja e mbjellë me ullinj zë rreth 30 % të territorit të Roskovecit, ku shumica prej tyre janë shekullorë.

Aktualisht, në Roskovec numërohen rreth 500 mijë rrënjë ullinj, të cilët janë në prodhimtari./m.m//a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.