Ballina Flash

Avokati i Popullit bëhet anëtar me të drejta të plota i Rrjetit Europian të Organeve të Barazisë

PRISHTINË, 23 tetor/ATSH/ Institucioni i Avokatit të Popullit është bërë anëtar me të drejta të plota i Rrjetit Europian të Organeve të Barazisë (EQUINET). Kështu njofton Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në një njoftim për mediet, duke theksuar se ky është një sukses i radhës i IAP. IAPK është anëtari i 50-të i këtij organizmi.

Lajmin e ka bërë të ditur në një komunikatë për media IAP, ku theksohet se ky është një sukses tjetër i radhës për këtë institucion dhe i shtohet listës së anëtarësimeve në strukturat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në komunikatë thuhet se kërkesa për anëtarësim është paraqitur nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Ai ua ka prezantuar sot anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të EQUINET kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për të qenë anëtar me të drejta të plota në Rrjetin Europian të Organeve të Barazisë (EQUINET).

Jashari theksoi në kërkesën e paraqitur se Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës funksionon në përputhje me Statutin e EQUINET dhe kriteret e paracaktuara dhe së këndejmi plotëson kushtet e kërkuara për të qenë anëtar, krahas institucioneve të tjera të barazisë, anëtare të këtij rrjeti.

“Përkundër kundërshtimit formal nga ana e Serbisë, respektivisht notës së protestës nga ana e Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, si dhe lobimit paraprak nga ana e tyre, me shumicë votash, anëtarët e EQUINET votuan për anëtarësimin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës në këtë rrjet”, thuhet në komunikatë.

Rrjeti Europian i Organeve të Barazisë (EQUINET) ka për mision promovimin e barazisë në Europë, duke mbështetur dhe aftësuar organet e barazisë në punën e tyre, për të qenë të pavarur dhe efektivë në angazhimin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe trajtimi i pabarabartë. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNegociatat/ Shameti: U ndryshuan rregullat në mes të “lojës”, ne përmbushëm detyrimet
Artikulli tjetërProgrami IPARD II, 180 milionë euro injektim financimit në bujqësi