TIRANË, 7 tetor /ATSH/ – Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ministrin për Çështjet Europiane dhe të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.
Ky takim kishte në fokus bashkëpunimin dypalësh me theks të veçantë shtimin e përpjekjeve për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, mobilitetin kulturor e rinor dhe zhvillimin e brezit Adriatik.
Rreth këtij takimi, ministri Cakaj u shpreh: “Në shërbim të thellimit të bashkëpunimit rajonal, u dakordësuam parimisht për fillimin e takimeve trilaterale mes Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Kroacisë. Një bashkëpunim i tillë, krahas përfitimeve të drejtpërdrejta, do të jetë edhe në shërbim të frymës euroatlantike të rajonit”.
Në këtë kuadër të dy bashkëbiseduesit riafirmuan angazhimin e përbashkët për vazhdimin e projekteve të rajonit nëpërmjet Korridorit Blu dhe Linjës Joniano-Adriatik të Gazit.
“Në fund, Kroacia sot ka dhënë një mesazh të fuqishëm në përkrahje të aspiratës europiane të Shqipërisë jo vetëm duke e mbështetur hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor, por edhe duke e vendosur procesin e negocimit të Shqipërisë në qendër të Konferencës Ballkanike në kuadër të Presidencës Kroate të Këshillit të BE-së 2020”, – përfundoi Cakaj. /j.p/
























