Ballina Flash

Veliaj me Shtabin e Emergjencave: Do rindërtojmë banesat e dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 23 SHTATOR /ATSH/ – Kreu  i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi sot pasdite Shtabin e Emergjencave për raportimin e situatës në terren pas tërmetit të së shtunës dhe masat e marra për përballimin e tij. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sfida është kthimi në normalitet dhe siguroi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të bëjë maksimumin. “Kjo është sfida që kemi tani, kthimi në normalitet; tërmetin nuk e kemi në dorë, kthimin në normalitet, solidaritetin, rimëkëmbjen, pastrimin dhe rikuperimin e humbjeve, këto i kemi vetë në dorë dhe do bëjmë maksimumin”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë probleme të raportojnë menjëherë pranë Njësive Administrative. “Duhet të jemi më të qartë, hapat janë: shkon te njësia administrative, aty listohesh, inventarizohet dëmi, plotësohet formulari, pastaj ju bëni lidhjen me ekipin tonë të vlerësimit. Ekipi i vlerësimit plotëson dokumentacionin dhe më pas i gjithë fondi, që kaloi dje, pjesëtohet sipas nevojave”, sqaroi Veliaj.

Ai tha se për të gjitha ato shtëpi që janë të dëmtuara do të bashkëpunohet edhe me kompanitë private për rindërtimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë. “Do të nisim një binjakëzim, ku secili do të adoptojë nga një shtëpi; nuk i kushton askujt dy shtëpi në Zall-Herr, në Ndroq e kështu me radhë, tek komuniteti i sipërmarrjes e biznesit”, shtoi  Veliaj, teksa kërkoi prej të gjithëve që të shkojnë edhe në zonat më të thella për t’u takuar me çdo familje. “Dua që brenda këtij 24 orëshi, stafi duhet të shkojë deri tek fshati më i largët, qoftë edhe për të bërë kontaktin e parë, për t’u dhënë sigurinë njerëzore se kemi mbërritur”, tha ai.

Ndërkohë kryebashkiaku Veliaj shtoi se janë marrë të gjitha masat edhe për rifillimin e mësimit nesër nëpër shkolla. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKlosi në qendrën e pritjes së të prekurve nga tërmeti në Kavajë: Në ndihmë të çdo qytetari
Artikulli tjetër“Njerëzit vrapuan jashtë”/ “The Washington Post” artikull për lajmin e rremë për tërmet