“Njerëzit vrapuan jashtë”/ “The Washington Post” artikull për lajmin e rremë për tërmet

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Lajmi i rremë që nxori në rrugë qindra-mijëra qytetarë mbrëmjen e kaluar ka tërhequr edhe vëmendjen e medieve ndërkombëtare.

“The Washington Post” duke iu referuar “Associated Press” shkruan për panikun e së dielës mbrëma, pas qarkullimit të një lajmi të rreme ku pretendohej për një tërmet të fuqishëm që do ndodhte në orën 23:00 të mbrëmjes.

“Policia shqiptare thotë se ka marrë në pyetje dy gazetarë me dyshimin se kanë provokuar panik duke raportuar se një tërmet i madh do të binte, pas një të tillë që la të plagosur 105 persona dhe dëmtoi qindra ndërtesa”, thuhet në artikullin e botuar nga “The Washington Post”.

“Njerëzit në kryeqytet, Tiranë, vrapuan jashtë mbrëmjen e së dielës, nga frika e raportimeve në internet të një tërmeti të mundshëm me madhësi 6 para mesnatës. Shumë parkuan makinat e tyre përgjatë autostradës dhe u shtrinë poshtë tyre, të tjerët shkuan në një stadium futbolli me valixhe të vogla ose u ulën jashtë deri natën vonë.

Autoritetet nxituan të bëjnë thirrje për qetësi, duke thënë se raportimet ishin të rreme.
Tërmeti i së shtunës pasdites me madhësi 5.8 sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Shqipëri dhe 5.6 sipas Anketës Gjeologjike të SHBA-ve dhe Qendrës Sizmologjike Europiane-Mesdhetare, dëmtoi rreth 915 ndërtesa. Shkollat u mbyllën të hënën”, – shkruan “The Washington Post”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.