TIRANË,16 shtator /ATSH – I. Vata/ Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta miratoi kërkesën e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja për shtyrjen e punimeve deri në daljen e opinionit të Venecias.
Në seancën e sotme të Komisionit, u miratua zgjatja e punimeve me 2 muaj, sipas kërkesës së Manjës.
Kërkesa erdhi për shkak se konkluzionet e Komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që ishte data 8 tetor.
Shtatë deputetë votuan pro dhe dy u shprehën kundër zgjatjes së punimeve. Kërkesa u miratua me shumicë votash dhe do i dorëzohet Kuvendit, për të marrë vendim për shtyrjen ose jo të punimeve.
Presidenti Ilir Meta po hetohet mbi shkeljet e pretenduara për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. /j.p/























