Ballina Aktualitet

Shahini: 200 mijë nxënës të përfshirë në skemën e librave falas

TIRANË, 14 shtator /ATSH-A.ALLA/ – “Shpërndarja e librave falas në shkolla ka funksionuar shumë mirë, sidomos në shkollat 9-vjeçare, ku kemi gati 200 mijë nxënës të përfshirë në skemën e librave falas. Fletoret e punës do të zëvendësohen plotësisht. Pra, nxënësve vitin tjetër do iu kërkohet të shkruajnë më shumë në fletore, që të përfshijmë në këtë skemë të gjithë nxënësit e arsimit të detyrueshëm. Prindërit që nuk kanë qenë të lumtur me këto libra janë plotësisht të lirë për të blerë libra të rinj”, – tha ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë një interviste televizive për fillimin e vitit të ri shkollor.

Shahini tha se, “pjesa kryesore e fëmijëve i marrin librat falas. Librat janë kthyer, janë në gjendje të mirë. Është një grup shumë i vogël i prindërve që i blejnë librat të rinj. Mbi 200 mijë fëmijë i marrin librat falas, edhe si ndihmë për buxhetin e familjes dhe pjesa dërrmuese i kanë pranuar siç janë”.

Ministrja Shahini u shpreh se, “e kemi filluar me energji të plota nga 2 shtatori të merremi me të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Shumë punë janë kryer edhe gjatë gushtit, në mënyrë që të mos kemi fare ndërprerje në përgatitje. E kishim shumë të rëndësishme që librat falas, nis nga vjet, të jepeshin edhe sivjet për klasën e pestë, që shkollat të përfundoheshin plotësisht me lyerje, rregullime, që të përmbylleshin brenda 16 shtatorit, që kjo të jetë ditë e plotë e punës dhe mësimit”.

“Përafërsisht çdo vit arrijmë të investojmë në rreth 40-60 shkolla, ka pasur vite kur kemi shkuar deri në 80, sepse buxheti është paksa i limituar dhe mënyra si i përzgjedhim shkollat është në varësi të atyre që sjell bashkia. Duke pas limite në buxhet, shohim shkollat që kanë më shumë nevojë. Është bërë shumë punë në shkollat e Durrësit, është bërë shkolla e Muzikës atje, me një projekt shumë të mirë. Edhe lista e shkollave në Tiranë, ku bashkia po vijon me një ritëm të mirë për rregullimin e 17 shkollave të reja. Gradualisht po mbyllet një pjesë e mirë e shkollave”, – theksoi Shahini.

Mbi buxhetin e blerjes së librave të klasës së pestë që u jepen falas fëmijëve ministrja Shahini theksoi se, “totali i buxheti ka qenë 600 milionë lekë të reja vitin e kaluar. Këtu janë përfshirë klasat 1-4 dhe librat e klasave 6-12 për kategoritë e veçanta. Këtë vit buxheti do jetë sërish diku te 600 milionë lekë. Një sfidë që e kemi çdo vit është të dimë numrin e saktë të nxënësve që në shtator, sepse ka lëvizje. Për buxhetin këtë numër e marrin brenda shtatorit, por numrin e saktë do ta marrim në javën e parë të tetorit”.

Mbi klasat kolektive ministrja Shahini theksoi se, “vitin e kaluar ne arritëm t’i transferojmë rreth 3 mijë nxënës në shkollat e afërta, rreth 3 mijë të tjerë kanë lëvizur vetë. Numri i nxënësve në klasa kolektive po vjen duke rënë. Edhe sivjet do kemi mundësi të bëjmë një lëvizje. Vjet lëvizëm nxënësit që e kishin më të lehtë të lëviznin, që ishin më afër shkollave. Buxheti për transport është thuajse i njëjti, ne rimbursojmë nxënësit dhe mësuesit, që udhëtojnë në largësi të caktuara. Rimbursimi është përcaktuar sipas parametrave të ministrisë”.

Minsitrja Shahini shpjegoi dhe ecurinë e portalit “Mësues për Shqipërinë” ku u shpreh se, “aplikimet janë mbyllur në verë, dosjet janë vlerësuar nga drejtoritë rajonale arsimore dhe gjithë të dhënat janë hedhur në sistem. Portali është mbyllur para disa javësh. Mësuesit e dinë ku e kanë renditjen, kështu që drejtoritë arsimore e kanë listën e mësuesve dhe do ju çojnë porosi automatike dhe brenda 48 orëve ata duhet të kthejnë përgjigje. Sivjet një ndryshim që kemi bërë, që erdhi si ankesë e një studenteje ekselente, që nuk renditej lart, pasi nuk kishte pikët e eksperiencës. Tani ju kemi dhënë më shumë peshë notave, rezultateve dhe jo eksperiencës. Vitet e eksperiencës ne i lamë për mësuesit që kualifikohen, sepse mësuesit kualifikohen çdo pesë vite. Do na duhet të marrim një vendim, që nëse një mësues dy herë nuk e kalon testin, të kalojë në shkollë dhe të rrisë kualifikimin, për t’iu rikthyer testimit”.

Mbi psikologët dhe sihurinë në shkolla Shahini tha se, “vitin e kaluar arritëm në një numër prej 940 të mësuesve ndihmës, sivjet do iu shtojnë edhe 60 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta. Psikologu dhe punonjës social, kemi një plan këtë vit për rritjen e numrit të tyre. Duhet të planifikojmë në mënyrë më eficiente. Kemi shumë shkolla, ku numri i nxënësve ka rënë. Nuk do të ketë një impakt të ri buxhetor, do arrijmë me këtë buxhet ta zgjidhim. Do jetë një plan disavjeçar, që psikologët dhe punonjësit socialë të kalojnë më shumë kohë brenda shkollave. Oficerët e sigurisë kanë një rol krejt tjetër. Janë 150 të rinj e të reja, me një master në drejtësi, sociologji, etj, kanë krijuar një marrëdhënie me drejtorët e shkollave. Sot kemi një armatë prej 150 oficerë të shpërndarë në shkollat e mesme e të larta me numrin më të madh të nxënësve”.

Shahini tha se parlamenti i nxënësve është një ide që e kemi diskutuar që në muajin maj.

“Mblodhëm kryetarët e shkollave në gjithë vendin, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata sollën ide të ndryshme edhe për organizimin e parlamentit të nxënësve. Shkollat zgjedhin çdo tetor kryetarët, në nivel bashkie të gjithë kryetarët do të zgjedhin një përfaqësues. Ndoshta Tirana merr dy, për shkak të numrit më të lartë të nxënësve. Që në vjeshtë do kemi mbledhjen e parë të parlamentit të nxënëse pranë ministrisë. Do kemi dy përfaqësues, një të shkollave të mesme e të larta dhe një të shkollave 9-vjeçare në çdo bashki, si dhe nga dy përfaqësues në Tiranë”, – theksoi Shahini.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përfundoi duke thënë se në ditën e parë të shkollë do të jetë te shkolla “Qemal Stafa”./r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/Kioskat pranë shkollave në Durrës, Sako: Të hënën do jenë pastruar të gjitha
Artikulli tjetërFOTO/Transformimi rrënjësor i shkollës së Lagjes së Re në Bulqizë