Maliqi: Komisioni Hetimor spektakël, Meta mori vendimin e duhur

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi e ka cilësuar si një spektakël Komisionin Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Maliqi është shprehur se dekreti i Metës për të anuluar zgjedhjet ishte vendimi i duhur që ndaloi gjakderdhje në vend teksa u shpreh se OSBE e bëri nul këtë proces duke e shkruar të zezën mbi të bardhë.

“Kthimin e dekreteve të Presidentit dhe shumë vendime të tilla shmangin përgjegjësitë nga kreu i qeverisë. Sot Parlamenti po diskrediton rendin dhe misionin e tij. Emigrimi masiv i shqiptarëve të cilët kohët e fundit po ikin për të siguruar bukën e gojës, dhe lëvizjes e mazhorancës në hotelet më luksoze, drogën. Kohët e fundit janë zbrazur spitalet pasi të gjithë po ikin për punë drejt Gjermanisë”, ka thënë Maliqi.

“Për të shmangur vëmendjen nga këto gjëra thirret një komision për Presidentin Ilir Meta. Nëse nuk do të anulohej 30 qershori do të kishte gjakderdhje. OSBE foli qartë dhe shqiptarët dinë ta përkthejnë të bardhën mbi të zezë. OSBE i bëri nul zgjedhjet e 30 qershorit, ku parlamenti është i kapur, këshilli bashkiak është i kapur. Vendi është në një krizë shumë të madhe. KQZ nuk pranoi komisionerët e opozitës”, është shprehur deputeti Maliqi.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.