TIRANË, 5 gusht /ATSH/ – Të drejtat, mbrojtja dhe mundësitë për integrimin e fëmijëve dhe të rinjve në shoqëri ishin në qendër të aktivitetit të zhvilluar në Durrës, ku mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë së këtij qyteti, Valbona Sako.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përfundimi sezonal i kampit veror 2 javor ‘’Ishulli i thesarit’’, i mbështetur financiarisht përmes projektit IRMA, i financuar nga qeveria gjermane në bashkëpunim me GIZ Albania/DIMAK Albania, me ”Terre des Hommes” dhe organizatën ”Nisma Arsis” dhe Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla.
Në këtë event u promovuan edhe shërbimet e ofruara nga Bashkia e Durrësit për mbrojtjen dhe integrimin e fëmijëve dhe të rinjve në shoqëri si dhe rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet për aftësitë dhe rëndësinë e zhvillimit të gjithanshëm të fëmijëve e të rinjve.
Në fjalën e saj përshëndetëse kryebashkiakja Sako deklaroi se fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja e shoqërisë dhe si rrjedhim çdokush nga institucionet, organizatat por dhe vetë komuniteti kanë detyrim të kontribuojnë për të përmbushur nevojat e tyre.
Si nënë e dy fëmijëve dhe si kryetare e Bashkisë, ajo theksoi se do të vazhdojë të eksplorojë më thellë nevojat dhe do t’i mbështesë gjithmonë qytetarët për gëzimin e të drejtave përmes shërbimeve dhe politikave të Bashkisë.
Ajo theksoi se Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla është një institucion i rëndësishëm që jep shërbime të integruara në komunitet.
Aktivitetin e përshëndetën edhe Alketa Lasku, drejtore kombëtare e organizatës ”Terre des Hommes” dhe Ana Majko drejtore e organizates Nisma për ndryshim shoqëror-ARSIS, dy organizata të cilat aktualisht janë duke zbatuar projekte pranë Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla në mbështetje të riintegrimit të të rikthyerve nga emigrimi nëpërmjet punësimit, arsimit dhe shërbimeve sociale, si dhe fuqizimit, përmirësimit të aksesit dhe ofrimit të një arsimi parashkollor cilësor.
Meme Xhaferraj, drejtore e shërbimeve sociale Durrës, foli mbi shërbimet që ofron bashkia si dhe mbi integrimin që ka sjellë kampi veror ”Ishulli i thesarit 2019” për 76 fëmijët dhe familjet e tyre në nevojë. Fëmijë dhe prindër përfitues të kampit sollën perceptimet dhe përvojen e tyre në këtë kamp.
Në këtë takim kanë përshëndetur edhe përfaqësues të Prefekturës Durrës, NJVKSHP, ZRP dhe organizatës ”Albarom”./ /gj.mima/























