Fluks turistësh në 6 muajt e parë të 2019-s, edhe spanjollët e zviceranët zgjedhin Shqipërinë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ – Shqipëria vijon të mbetet atraksion turistik për turistë të shumtë nga Europa të cilët e kanë zgjedhur atë si destinacionin e preferuar për periudhën janar-qershor 2019.

Turistët nga vende të ndryshme si Maqedonia e Veriut, Greqia, Zvicra, Italia, Anglia, Gjermania, SHBA kanë zgjedhur vendin tonë si destinacion turistik i cili ofron një turizëm gjithëvjetor, nga ai malor, deri tek ai i bregdetit.

Sipas shifrave të INSTAT, turistët e huaj vijojnë të jenë në rritje në vendin tonë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2019.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2019 është 2.136.952, duke u rritur me 11,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Rreth 276.987 shtetas nga Maqedonia e Veriut që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik gjatë periudhës janar-qershor 2019, duke shënuar një rritje prej 5,5% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithashtu sipas shifrave të INSTAT, të shumtë kanë qenë dhe shtetasit nga Greqia që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë. Gjatë periudhës janar-qershor 2019 janë 251.501 shtetas nga Greqia që kanë zgjedhur Shqipërinë, pra 8% më shumë se e njëjta periudhë e 2018.

Shqipëria tashmë e shndërruar në një destinacion turistik europian është vizituar dhe nga turistë nga Italia ku vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2019 ku numër ka qenë 159.177 pra 9,4% më shumë shtetas italianë se e njëjta periudhë e 2018.

Gjithashtu turistë nga Anglia kanë zgjedhur vendin tonë ku gjatë periudhës janar-qershor 2019 janë 46.487 shtetas anglezë që kanë hyrë në vendin tonë, pra 7,4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Shtetasit nga Mali i Zi gjithashtu kanë qenë të shumtë gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019 që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë. Gjatë periudhës janar-qershor 2019 janë 190.236 shtetas nga Mali i Zi që kanë vizituar vendin tonë, pra 2,4% më shumë vizitorë se e njëjta periudhë gjatë 2018.

Sipas INSTAT, vizitorët nga Amerika e largët nuk kanë munguar në vendin tonë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2019. Gjatë periudhës janar-qershor 2019 e kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë 48.810 shtetas amerikanë, 13,8% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Gjithashtu vendi ynë është vizituar gjatë periudhës janar-qershor 2019 nga 9247 shtetas nga Spanja, pra 25% më shumë vizitorë spanjollë se e njëjta periudhë e 2018.

Sipas shifrave të INSTAT nuk kanë munguar në vendin tonë dhe shtetasit gjermanë. Gjatë periudhës janar-qershor 2019 vendi ynë është vizituar nga 59.486 shtetas gjermanë, 19,5% më shumë shtetas nga Gjermania se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Bukuritë e natyrës tonë e sidomos malet dhe shtigjet tona kanë ngjallur interesin dhe të shtetasve nga Zvicra. Gjatë periudhës janar-qershor 2019, 18.797 shtetas zviceranë kanë vizituar Shqipërinë, çka tregon një rritje prej 34,6% më shumë vizitorë nga Zvicra se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Gjithashtu sipas shifrave të INSTAT ka patur dhe mjaft turistë nga vende të tjera që e kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre të preferuar për gjashtëmujorin e parë të 2019. Nga vende të tjera të Europës e kanë zgjedhur Shqipërinë për periudhën janar-qershor 2019 428.601 vizitorë, pra 11,3% më shumë se e njëjta periudhë gjatë 2018.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.