FOTO/ Turistët nga Polonia përmes mrekullisë dhe aventurës në shtigjet e Ujëvarës së Sotirës

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ – Një grup turistësh nga Polonia vizituan sot malin e Tomorrit në një itinerar turistik për njohjen e natyrës dhe kulturës së këtij rajoni.

Ata përshkuan shtegun Çezma e Tarikos – Ujëvara e Sotirës, dhe sheshin e Shën Pjetrit në fshatin Dardhë duke provuar aventurën përmes kalimit në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron.

Turistët gjithashtu bënë hiking në këto shtigje duke shijuar bukuritë natyrore dhe duke takuar banorët mikpritës të zonës.

Sotira tashmë është bërë një destinacion i preferuar nga turistët e huaj për shkak se ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut, dhe turistët e aventurës mund ta shijojnë atë në mënyrën më të mirë.

Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që bien në trajtë çurgjesh nga lartësi që shkojnë nga 20-150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.