Ballina Bota

BE – Brukseli gjobit me 242 milionë euro gjigantin amerikan Qualcomm

BRUKSEL, 18 korrik /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian gjobiti sot me 242 milionë euro gjigantin amerikan të pjesëve elektronike “Qualcomm”, me akuzën për praktikimin e çmimeve më të ulëta se kostot e prodhimit me qëllim largimin e një konkurrenti nga tregu.

Hetimi i Brukselit fokusohej në tregun e përbërësve që i mundësojnë një telefoni celular që të lidhet me internetin.

“Qualcomm i ka shitur çipet e tij me çmime nën kostot tek klientët e tij të mëdhenj me qëllim eliminimin e një konkurrenti”, thekson komisioneria europiane e Konkurrencës, Margrethe Vestager, në një komunikatë.

Gjiganti amerikan akuzohet se ka abuzuar me pozicionin e tij dominues duke përdorur këtë praktikë, të quajtur të çmimeve përjashtues, mes viteve 2009-2001, me dy klientët e tij, gjigantët kinezë të telekomunikimit ZTE dhe Huawei.

“Objektivi ishte të eliminohej kompania britanike Icera, konkurrenti i tij kryesor në atë kohë, që ishte duke u shndërruar në një furnitor i qëndrueshëm”, vazhdon ekzekutivi europian.

“Icera” u ble në maj 2011 nga kompania amerikane e teknologjive, “Nvidia”, që vendosi në vitin 2015 të likuidojë filialin që prekej nga ky hetim i Komisionit.

Kjo gjobë vjen pas një gjobe të parë prej 997 milionë eurosh të vënë në janar 2018 për një tjetër sjellje të “Qualcomm” të gjykuar abuzive, që i kishte dhënë shuma gjigante klientit të tij “Apple” në mënyrë që ai të mos furnizohej tek rivalët e tij. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta-Page: Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëri-Britani e Madhe
Artikulli tjetërXhafaj: SHBA dhe BE, garanci thelbësore për Reformën në Drejtësi