BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-ANSA/ – Konservatori gjerman, Manfred Weber hoqi dorë nga drejtimi i Komisionit Europian me kusht që të jetë president i Parlamentit Europian, sipas burimesh nga brenda PPE-së në ditën e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Europian në Bruksel.
Weber, “Spitzenkandidat” (Kandidati Kryesor) i konservatorëve, u takua në javët e fundit me presidentin francez, Emmanuel Macron, që ka qenë edhe një prej zërave më të fuqishëm kundër atij.
Shkëmbimi i mundshëm mes familjeve politike që do të krijojnë maxhorancën në Parlamentin Europian të ri parashikon që socialisti holandez, Frans Timmermans të jetë në krye të Komisionit, ndërsa Weber në krye të Parlamentit në Strasburg.
Marrëveshja, e mbështetur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, do të plotësohet me kryeministrin liberal belg, Charles Michel në drejtimin e Këshillit të BE-së dhe konservatorja, Kristalina Georgieva si pasuese të Mogherini në Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes së Përbashkët.
Parisit do t’i jepet presidenca e BQE-së, ku do të zgjidhet guvernatori i Bankës së Francës, Villeroy de Galhau.
Megjithatë ky kuadër ka shumë të panjohura, duke filluar nga kundërshtimi i vendeve të grupit të Vishegradit (Hungari, Poloni, Sllovaki, Republikë Çeke) ndaj emërimit të Timmermans, të cilëve i shtohet edhe mbështetja e Italisë e shpallur dje nga Matteo Salvini. /G.S/












