Zgjedhjet, Hyseni: Pjesëmarrje mbi normalen, asnjë incident

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ – Deputeti socialist, Alket Hyseni, njëkohësisht monitorues i PS për Sarandën në zgjedhjet vendore është shprehur sot se, “pjesëmarrja në zgjedhje është masive, duke shtuar se ka një pjesëmarrje mbi normalen dhe më të lartë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017”.

I pyetur nëse ka pasur incidente, Hyseni tha se, “unë ju garantoj se nuk ka asnjë rast. Ka pasur sinjale se punonjës të bashkisë Delvinë kanë tentuar të shantazhojnë pjesëmarrësit në votime. Kushdo është i lirë të ushtrojë të drejtën e votimit ose jo. Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur ta ushtrojnë të drejtë e tyre për të zgjedhur dhe ftoj edhe të tjerët ta ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese”.

“Aktualisht ndodhem në Sarandë, isha dhe në Delvinë e Konispol, si dhe në Ksamil. Ka një fluks qytetarësh mbi normal, më shumë se më 2017. Qytetarët janë të interesuar. Në Sarandë dhe Finiq ka garë. Interesi më i madh është për këshillat bashkiakë”, – tha Hyseni.

“Do doja që garë të kishte gjithandej, për të dalë në pah puna e secilit, por nuk ishte faji jonë që në disa bashki nuk ka kandidat alternativë. Në vijim numri do të jetë shumë më i lartë dhe do kemi pjesëmarrje të kënaqshme në jug”, – u shpreh Hyseni.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.