Voton ish-presidenti Topi: Jam kundër bojkotit, politika të reflektojë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka votuar sot në kryeqytet i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Gjatë fjalës së tij jashtë qendrës së votimit Topi tha se zgjodhi të votojë në vijim të bindjes kundër bojkotit.

Ai tha se kjo është një ditë ku çdo politikan duhet të reflektojë dhe të orientohen si ata që ne i quajmë partnerë strategjikë.

“Votova sot në vijim të bindjeve të mia të sjelljeve kundër bojkotit siç e ka shprehur edhe partia ime e cila merr pjesë në zgjedhje. Erdha sot për të bërë detyrën time qytetare, por edhe politike. Kam marrë pjesë në të gjitha votimet që nga viti 1991”, – tha Topi.

Kjo, u shpreh ish-presidenti Topi, “është një ditë që nuk mund të ketë triumfator kur çdo politikan por edhe përfaqësuesit të opinionit publik, sonte duhet të bëjnë një meditim të thellë. Duhet të jetë një reflektim qytetar, se çfarë kanë bërë. Është standardi më i ulët i demokracisë që ne përjetojmë prej kaq vitesh”.

Nesër, theksoi ai, “të gjithë duhet t’i thërrasin mendjes për të ardhur në një proces tjetër. Një proces politik, i cili është rrëzuar në 21 prill 2008. Sot është një ditë votimesh dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë kanë ushtruar të drejtën e tyre”.

“Mesazhet e ndërkombëtarëve duhen kuptuar qartë, për të krijuar një ditë stabilitetit brenda instabilitetit të politikës, të cilin nuk e ka populli. Mospjesëmarrja imponon zgjidhje të sforcuara. Ne jemi sot për zgjedhjet e pushtetit vendor sepse qyteti nuk mund të qëndrojë pa shërbim”, – tha Topi.

Unë, shtoi ai, “besoj që fakti që unë vij për të votuar dhe që FRD ka marrë pjesë në këto zgjedhje, kam bindjen që çdo njeri bën zgjedhjen e vet. Unë jam për vazhdimin me sukses të Reformës në Drejtësi. Mbi të gjitha kjo do të influencojë palët politike për t’u ulur në tryezë. Vendimi për këto zgjedhje i tregon asaj gjykate nuk është krijuar akoma, por që duhet të ishte krijuar”, – tha Topi.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.