TIRANË, 24 qershor /ATSH/ – Kandidatja e Partisë Socialiste për Durrësin, Valbona Sako zhvilloi një takim me sipërmarrjet në zonën e plazhit.
“Më vjen mirë që kemi gjetur mirëkuptimin e duhur me bizneset që ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së turizmit në qytetin tonë”, – u shpreh ajo.
“Siguria e qytetarit në plazhe, pastrimi dhe përmirësimi edhe më tej i infrastrukturës janë çështje prioritare të administrimit të qytetit”, – theksoi ajo.
Sako: Pas 30 qershorit, më shumë mbështetje dhe lehtësira ndaj biznesit
Sako vizitoi edhe fabrikën e parë të prodhimit të paneleve sanduiç në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, “cilësia premium siguroi që kompania në bashkëpunim me një firmë tjetër të jenë fituese edhe në projekte jashtë vendit”.
“Është krenari që një firmë shqiptare është pjesë e bashkëpunimit për projektin e Metrosë së re në Paris”, – tha Sako.
“Më shumë mbështetje dhe lehtësira ndaj biznesit do të ketë pas 30 qershorit, suksesi i të cilit na garanton më tepër mirëqënie dhe vende pune”, – u shpreh Sako.

Sako në Shkozet: Përkrahje ndaj çdo nisme në agroturizëm
Sako zhvilloi një takim edhe në Shkozet, ku u shpreh ajo, “atmosfera e fitores ndihet që tani, sepse banorët e tij janë të bindur se alternativa e Partisë Socialiste është ajo më e mira”.
“Pas 30 qershorit, do të sigurojmë më shumë mbështetje në sektorin e bujqësisë. Përkrahje ndaj çdo nisme në agroturizëm. Më shumë shërbime për pastrim, infrastrukturë, ndriçim. Por mbi të gjitha do të jemi më afër çdo shqetësimi qytetar”, – tha Sako.

Sako në Shënavlash: Projekt i ri ujësjellësi
Kandidatja e Partisë Socialiste për Durrësin, Valbona Sako zhvilloi edhe një takim me banorët e Shënavlashit, të cilët falë investimit të kryer në ujësjellës, përfitojnë tashmë cilësi dhe sasi furnizimi.
“Ky është minimumi për ta, ndërsa mbështetja nga bashkia do të jetë shumë herë më e madhe në bujqësi e agroturizëm, sektor me rëndësi të veçantë për këtë zone”, – tha Sako.
“Më afër tyre do të jemi pas 30 qershorit, për t’i dhënë suport maksimal zhvillimit. Një popullatë e shëndetshme na garanton një të ardhme të suksesshme”, – tha Sako.

Sako: Një popullatë e shëndetshme na garanton një të ardhme të suksesshme
Sako zhvilloi një takim edhe me mjekët dhe infermierët e Qendrave Shëndetësore në Durrës për të folur më nga afër për rolin e bashkisë në përmirësimin e shëndetit të popullatës.
“Për të dëgjuar nga ata që çdo ditë ia kushtojnë jetës, se çfarë duhet të bëjmë dhe si të përmirësojmë më shumë shërbimet. Shëndet në të gjitha politikat do të jetë moto e punës në çdo drejtori të bashkisë Durrës pas 30 qershorit”, – u shpreh Sako.

/gj.mima/j.p/























