Ballina Flash

Dako: Në 12 vite, investimet transformuan Durrësin

TIRANË, 24 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi sot se, gjatë 12 viteve që ai ka drejtuar bashkinë, të gjithë banorë e Durrësit e kanë prekur investimin në bashkinë e Durrësit.

Gjatë takimit elektoral në Durrës, Dako u shpreh se, “jam shumë i lumtur që qytetarët e Durrësit sot kanë tre herë më shumë ujë se ç’kanë pasur dje. Kjo është vepër e rëndësishme e ideuar nga bashkia e Durrësit me mbështetjen e qeverisë dhe është punuar për 12 vite me radhë”.

Dako theksoi se, “çdo qytetar është i kënaqur dhe i është rritur  cilësia e jetës gjatë 12 viteve”.

“Gjatë këtyre viteve jemi akuzuar shumë për betonizimin, prishje të historisë dhe shit-blerje të votave. Por dua t’i them të gjithëve se gjatë këtij mandati janë dhënë vetëm 17 leje ndërtimi. Nëse flasim për zënie hapësirash publike ky shesh dhe sheshi Veliera janë dëshmitarë për rikthimin e hapësirave publike qytetarëve”, – tha Dako.

“Na akuzojnë se prishim historinë. Po vizitonim me Kryeministrin një vepër arti që po vihet në Durrës, që po vihet nga një artistë ndërkombëtar. Atë që se kanë bërë arkeologët për 100 vite po e bëjmë ne sot duke vlerësuar Redonin, ekuivalent me Poseidonin e Greqisë. Ne kemi një histori më të vjetër se i përkasim ilirëve dhe kjo është dëshmi sesa i vjetër është ky komb”, – theksoi Dako.

“Na akuzojnë për blerje-shitje votash. Jeni dëshmitarë që çdo qytetar i Durrësit ka votuar PS nga viti në vit. Kjo ka ardhur nga mirësjellja jonë, nga shërbimi që i kemi bërë qytetarëve, por mbi të gjitha nga puna jonë e përditshme si në Durrës edhe në Shijak dhe Krujë. Por e vërteta është se ata se pranojnë dot që qarku i Durrësit, bastion i PD deri në 2009, sot është kthyer në bastion të PS. 5 deputetë kishim në 2009, 8 kemi sot. Këtë ata se përtypin dot, prandaj i hedhin baltë të gjithë socialistëve të Durrësit se se përtypin dot tradhtinë që i kanë bërë qytetarëve të Durrësit”, – tha Dako.

Dako foli edhe për shifrat në rritje të turizmit në Durrës. “20% më shumë turistë ka pasur këtë javë në Durrës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Se Durrësi është zbukuruar falë investimeve tona, falë lungomares që po nis në gjithë shëtitoren Taulantia, falë Velierës. Jam i sigurt që kjo do të vijojë edhe 4 vitet e ardhshme”.

Dako u shpreh se, “në zonën e ish-Bllokut në plazh do të ndërtohet një park kombëtar, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë. Brenda mandatit të ardhshëm jam i sigurt që Durrësi s’do ketë vetëm 20% më shumë, po 100% më shumë turistë.

“Jam i sigurt që në 30 qershor do hidhni votën për drejtimin e duhur, bashkinë e duhur, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Me votën e 30 qershorit do i tregojmë Saliut, Ilirit, Lulit dhe Monikës që Durrësi mbështet punën, të ardhmen, jo llafet”, – tha Dako.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBushi: Në 4 vite realizuam projekte që i rikthyen dinjitetin Krujës
Artikulli tjetërArbana: Dua ta sjell Shijakun sa më afër standardeve europiane