Ballina Aktualitet

Meta: Nuk është momenti për prova force, palët të dialogojnë

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta reagoi sërish sot në lidhje vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke theksuar se nuk është kurrsesi momenti për prova force, si dhe bën thirrje për dialog mes palëve.

“U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike”, – thekson Meta.

Kreu i Shtetit shprehet se “theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve”.

“Sërish insistoj me forcë për rëndësinë e dialogut mes palëve dhe njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë”, – thotë Presidenti Meta. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKandidati socialist për Shkodrën, Pjetri: Ja si do t’ia kthej shkëlqimin djepit të kulturës
Artikulli tjetërNënshkruhet memorandumi për ndërtimin e rrugës Junik – Gjeravicë