Celibashi: Në asnjë rresht të Kushtetutës s’ka anulim të zgjedhjeve nga Presidenti

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ “Në asnjë rresht të Kushtetutës dhe në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë përcaktim për anulimin e datës së zgjedhjeve, për më tepër nga Presidenti i Republikës”.

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka argumentuar nga pikëpamja juridike aktin e Presidentit Meta, gjatë një interviste dhënë disa minuta më parë.

Sipas Celibashit, akti i Metës nga pikëpamja juridike ka krijuar konfuzion.

“Unë nuk kam ndonjë arsye që të mendoj se Presidenti në këtë akt nuk është nisur nga qëllime të mira dhe nga një motiv i mirarsyetuar në pikëpamje të interesit të përgjithshëm publik por në pikëpamjen juridike, akti i tij në vlerësimin tim jo në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin zgjedhor, akti i tij ka krijuar më shumë konfuzion, ka sjellë më shumë kaos, të paktën juridik, dhe nga ana tjetër me të gjithë dëshirën për të zgjidhur krizën politike, nuk mendoj se ka kontribuar në këtë qëllim të mirë të tij. Biles, mund të them që ka bërë të kundërtën, gjykuar nga deklaratat që palët kanë dhënë dhe qëndrimet që kanë mbajtur menjëherë pas këtij akti të Presidentit. Presidenti ka një kompetencë, është edhe e drejtë, edhe detyrim që të caktojë datën e zgjedhjeve. Në asnjë rresht të Kushtetutës dhe në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë përcaktim për anulimin e datës së zgjedhjeve, për më tepër nga Presidenti i Republikës”, – tha Celibashi.

Më tej, ai sqaroi se në momentin që Presidenti shpall datën e zgjedhjeve, nuk është më kompetencë e tij, por e KQZ-së.

“Kodi Zgjedhor në opinionin tim ka përcaktuar qartë rolet, kompetencat e çdo institucioni dhe çdo autoriteti publik në raport me procesin zgjedhor. Këto janë të përcaktuara qartë, çfarë bën presidenti, çfarë bën KQZ, çfarë bën kolegji zgjedhor. Për presidentin, kushtetuta dhe kodi zgjedhor kanë përcaktuar që Presidenti shpall me dekret datën e zgjedhjeve. Nga ky moment, çdo gjë që ka të bëjë me procesin zgjedhor është atribut i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe strukturave të tjera zgjedhore në nivel të dytë dhe të tretë dhe eventualisht i Kolegjit Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse në mënyrë metaforike qëndron pas derës së Presidentit për të pritur një mesazh nga ana e tij, deri në momentin që përcakton datën e zgjedhjeve, më pas nuk ka pse qëndron pas derës së Presidentit, ka mbaruar punë në lidhje me këtë pritje”, – theksoi Celibashi.

Në lidhje me faktin se kujt Gjykate i takon të japë gjykimin në lidhje me aktin e Presidentit, Celibashi tha se “edhe në këtë rast ai që ka interesin ligjor për ta kundërshtuar këtë akt të Presidentit mund ti drejtohet Gjykatës Administrative dhe jo Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ne nuk e kemi në funksion për momentin dhe jo për këtë shkak”.

/z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.