Bardhi: Aleanca me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit Kushtetues

TIRANË, 11 qershor/ATSH/- “Aleanca me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit Kushtetues do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh të martën Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, gjatë një deklarate për mediet nga selia e PD.

“Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm, në të cilin demokracia dhe e drejta themelore e qytetarëve për të zgjedhur të lirë qeverisjen që duan, është drejt asgjësimit të plotë”, – tha Bardhi.

“Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Europa, ne po krijojmë Aleancën e vlerave, Aleancën me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit kushtetues”, – theksoi Bardhi.

“Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Europa, ne do të mbrojmë parimet dhe vlerat themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, do t’i garantojmë vendit zgjedhje të lira e të ndershme”, – vijoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.

“Përmes reformave të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore ne do t’i japim fund njëherë e mirë modelit kriminalo-autokratik. Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve”, – përfundoi Bardhi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.