Ballina Flash

Bullgaria mbështetje Kosovës në të gjitha fushat

PRISHTINË, 11 qershor /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Bullgari, zhvilloi një takim të veçantë me homologen e tij bullgare, Tsveta Karayancheva.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në fushat me interes reciprok.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova dhe Bullgaria duhet të intensifikojnë marrëdhëniet midis tyre, aq më tepër kur tani shënohet 10-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Bullgaria është një ndër shtetet që e ka ndihmuar shumë Kosovën në të gjitha proceset, nga viti 1999. Është ndër vendet e para që e ka njohur shtetin tonë më 2008. Tani, brenda BE-së është zë i promovimit të Kosovës”, – theksoi Veseli.

Kryetari i Kuvendit shtoi se mbështetja e Sofjes zyrtare për Kosovën vazhdon të mbetet e rëndësishme, si në bartjen e përvojës së saj legjislative, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe aspiratat euroatlantike.

“Mora zotimin se Bullgaria në mënyrë të vazhdueshme do të jetë përkrah Kosovës, në të gjitha proceset dhe sfidat që ajo ka para vetes në rrugëtimin e integrimit europian. Bullgaria është përkrahëse në procesin e liberalizimit të vizave, është përkrahëse për Interpolin dhe në çdo proces aplikimi të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare”, – tha Kryeparlamentari Veseli.

Ai shprehu besimin se tani do të hapet një etapë e re bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve. Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayancheva, nga ana e saj, konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën edhe në të ardhmen, sidomos në rrugën e integrimit europian. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Fëmijët e kthyer nga Siria, në shtator integrohen në sistemin arsimor
Artikulli tjetërPunime në rrjet, OSHEE kufizon energjinë në disa zona të Elbasanit dhe Shkodrës