Ballina Flash

Veliaj inspekton punimet për rehabilitimin e Lanës: Transformimi do të vazhdojë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ – Në vijim të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, zhvilloi ecje me banorë të njësisë 3.

I shoqëruar nga kryetarja e Partisë Socialiste të Tiranës dhe Blerina Gjylameti, deputete e PS, Klotilda Ferhati, ai u takua me banorë të njësisë, të cilët shprehën vlerësimet e tyre për punën e bërë në këto 4 vite në këtë njësi, e cila është përfituese e shumë projekteve transformuese.

Banorët e falenderuan Veliaj për vëmendjen e treguar në këto 4 vite edhe për lagje, të cilat më parë konsideroheshin periferike, ndërsa kërkuan prej tij vijimin e punës së nisur, në mënyrë të veçantë me infrastrukturën, këndet rekreative dhe hapësirat e dedikuara për fëmijët.

Më pas, kandidati për kryetar bashkie inspektoi punimet që po bëhen në një nga projektet më transformuese të Tiranës, që prek direkt edhe Njësinë 3 dhe që ka të bëjë me rehabilitimin e gjithë bregut të lumit të Lanës, nga zona e Maternitetit të Ri deri te Ura e Shkozës. Ai vlerësoi punën e bërë në transformimin e një zone që pak vite më parë ishte e mbuluar nga ferrat dhe papastërtitë, në një hapësirë që përveç sistemimit të lumit të Lanës, janë krijuar edhe trotuaret, zonat e gjelbra, rruga për makinat, si një zgjatim i pjesës tjetër të lumit të Lanës.

Veliaj theksoi se ky projekt jo vetëm që ka rehabilituar një hapësirë që më parë ishte krejtësisht e degraduar, por i ka sjellë një përfitim direkt banorëve të zonës, të cilëve iu është krijuar infrastruktura e duhur rrugore, si dhe iu është shtuar vlera e pronës për shkak të aksesit që kanë me një rrugë krejtësisht të sistemuar.

Ai falenderoi banorët për bashkëpunimin, ndërsa theksoi se puna e bërë në këto 4 vite për transformimin e Tiranës do të vijojë edhe në mandatin e ardhshëm.

z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliera “Sea Cloud” me 61 turistë, nga Saranda në portin e Durrësit
Artikulli tjetërSHËNDETËSI – Për kurimin e astmës i dobishëm edhe sporti