Ballina Aktualitet

Tërmeti në Korçë/ Spirollari për ATSH: Mbështetje dhe strehim për të gjithë banorët

TIRANË, 4 qershor/ATSH- A. Fortuzi/- Prefekti i Qarkut të Korçës, Dhori Spirollari, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se sot se ka nisur procesi i ngritjes së Komisioneve për vlerësimin e dëmeve nga tërmeti që ka prekur Korçën ditët e fundit.

Spirollari tha për ATSH se “aktualisht është bërë një vlerësim i parë jo ligjor për të kuptuar më mirë situatën, ndërsa nga dita e sotme po ngrihen dhe komisionet e vlerësimit të dëmeve për të pasur një situatë të saktë dhe ligjore të dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike që kanë prekur zonën e Korçës”.

“Situata është nën kontroll. Të gjithë banorët janë stabilizuar, disa në strehim social, një pjesë në qendrat komunitare dhe një pjesë në shkollën e fshatit Floq. Ndërsa rreth 60 banorë preferojnë të qëndrojnë në çadër. Për banorët që duan strehim është vendosur në dispozicion dhe godina e ish-maternitetit në Korçë”, deklaroi Spirollari për ATSH.

“Ndihma dhe kontrollet mjekësore janë të vazhdueshëm në të tre fshatrat, Floq, Qafëzezë dhe Vidohovë. Në këto fshatra janë ngritur dhe qendra shëndetësore veçanërisht për banorët. Furnizimi me ushqim ka qenë në vijueshmëri, por kemi pasur dhe mbështetje humanitare të cilët janë pranë banorëve për nevojat e tyre”, deklaroi për ATSH, Prefekti Spirollari.

Sa i takon dëmeve, ai sqaron se “janë evidentuar të gjitha ndërtesat me probleme ndërsa kërkon kohë për saktësi absolute. Ka nisur puna për ngritjen e komisioneve të vlerësimit për çdo fshat dhe më pas do të bëhet evidentimi i plotë i dëmeve dhe llogaritja ekonomike e tyre sipas ligjit”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA dhe BE, mesazhe urimi shqiptarëve për Fiter Bajram
Artikulli tjetërFOTO/ Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitë për Ismail Qemalin në Muzeun e Kosovës në Prishtinë