Kontratat ‘sekrete’, procedura e Prokurimit Publik sipas direktivave të BE-së

TIRANË, 3 qershor /ATSH/- Procedurat për kontratat publike të klasifikuara si sekret shtetëror, kryen konform legjislacionit përkatës në fuqi dhe në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian.
Kështu u shpreh sot Drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, në një intervistë, ku ndër të tjera theksoi se, kontratat e klasifikuara, përbëjnë vetëm 1,6% të totalit të procedurave të prokurimeve publike të kryera në vitin 2018, vit në të cilin dominojnë procedurat konkurruese dhe transparente.
“Legjislacioni i prokurimit parashikon si raste përjashtimore, rastet e kontratave në fushën e mbrojtjes apo që kërkojnë masa të veçanta sigurie. Ky përjashtim është absolutisht në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe ato zhvillohen sipas legjislacionit në fuqi”, – tha Kashta.
Ajo tha se, ky fakt shpjegon pse AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) ka numrin më të lartë të procedurave të prokurimeve të kryera, përfshirë këtu edhe ato të klasifikuara sekret.
“Rezulton se këto procedura të kryera vitet e fundit, janë zhvilluar kryesisht në fushën e sistemeve të IT-së, pra nga AKSHI. Ky numër i procedurave të zhvilluara nga AKSHI, me procedura të të gjitha llojeve, vjen për faktin se dy vitet e fundit ky institucion është ngarkuar përmes një vendimi të këshillit të ministrave për të qenë institucion prokurues qendror, për të gjitha institucionet në varësi të këshillit të ministrave. Ky është shpjegimi i numrit të rritur të procedurave të zhvilluara nga AKSHI, pasi ka mbledhur të gjitha procedurat që më parë realizoheshin vetë nga institucionet e administratës publike. Është organ qendror blerës”, – tha Kashta.
Drejtorja u pyet edhe mbi konstatimin e autorëve të artikullit mbi kontratat sekrete, sipas të cilit, “disa institucione publike si Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cilësojnë edhe kontratat e thjeshta për punë publike si ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve si “konfidenciale”.
Kashta sqaroi se në këtë rast, nuk bëhet fjalë për kontrata sekrete, siç lë të kuptohet ky artikull. ARRSH nuk ka realizuar asnjë procedurë të kualifikuar si sekret, pasi i zhvillon procedurat nëpërmjet sistemit elektronik të prokurimeve elektronike, që është i vendosur në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.