Dialogu me Serbinë, Haradinaj mirëpret angazhimin franko-gjerman

PRISHTINË, 3 qershor /ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot këshilltarët diplomatikë të Presidentit të Francës Emanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

Presidenti Thaçi mirëpriti angazhimin franko-gjerman për takimin në Paris, në mes të përfaqësuesve të shtetit të Kosovës dhe të shtetit të Serbisë, si dhe përpjekjet e Presidentit Macron dhe Kancelares Merkel për të ndihmuar rifillimin e procesit të dialogut nën udhëheqjen e Bashkimit Europian.

Presidenti Thaçi potencoi se “dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”.

Gjithashtu, Presidenti u shpreh se “Kosova nuk do të pranojë kritere të tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”.

Presidenti Thaçi kërkoi që qytetarët e Kosovës të mos mbahen të izoluar padrejtësisht dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në fund, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.