TIRANË, 1 qershor/ATSH/ “Të gjitha institucionet përkatëse janë në gatishmëri te plotë dhe janë marrë të gjitha masat që asnjë banor të mos kalojë natën në banesat e dëmtuara”, deklaroi sot prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, duke folur për situatën e krijuar nga tërmeti në Korçë.
Prefekti Spirollari mblodhi sot Shtabin e Emergjencave Civile, pasi qarku u trondit në orët e mëngjesit nga lëkundje të forta tërmeti, me epiqendër në fshatin Floq, njësia administrative Mollaj.
Në takim u diskutuan masat e marra deri tani, ndërsa prefekti u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe kujdes.
Spirollari tha se “Forcat e Armatosura kanë reaguar menjëherë dhe kanë ngritur çadra në fshatrat Floq e Vidohovë”.
Po ashtu, Prefekti tha se “Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka furnizuar me krevate dhe batanije, ndërsa Dorcas Aid me pako ushqimore. Edhe Kryqi i Kuq ka kontribuar me batanije dhe ushqime.
/m.m/j.p/























