TIRANË, 12 prill/ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, vlerëson se dialogu me Serbinë është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje për të dy vendet në rrugën e tyre drejt integrimit europian.
Kryediplomati kosovar deklaroi se dialogu në Bruksel nuk zhvillohet për territore e popuj, por për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe hapjes së rrugës së integrimeve euroatlantike.
“E kam vlerësuar në drekën e përbashkët të punës me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ministrave të Gjermanisë e Polonisë si bashkëorganizatorë të takimit në Varshavë në kuadër të Procesit të Berlinit, se bashkëpunimi rajonal është thelbi i ecjes përpara dhe ky bashkëpunim duhet të mbështetet në marrëveshje, dialog dhe në zgjidhje paqësore”, tha Pacolli.
Sipas tij, Procesi i Berlinit është një nismë e rëndësishme që po ndihmon të gjithë rajonin në vendosjen e lidhjeve infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha lehtësimin e marrëdhënieve në Ballkan e përmirësimin e tyre.
“Kosova është pjesë e pandashme e këtij procesi dhe ne po ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje paqësore. Keqpërdorimi që po bënë Serbia duke manipuluar me procesin e dialogut po dëmton perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Pacolli. /KosovaPress/e.caushi/























