TIRANË, 11 prill/ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Shtetit ka vepruar me një shpejtësi rekord, duke rrezikuar jetën dhe duke garantuar prova të rëndësishme për hetimin.
Kështu, u shpreh ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke iu përgjigjur akuzave të deputetit të LSI, Ralf Gjoni, lidhur me grabitjen e ndodhur në aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Sipas Lleshajt, situata në aeroport që nga sot është e padiskutueshme e sigurt.
“Sigurinë ose do ta lëmë siç është ose ta përforcojmë. Ne këto kapacitete kemi. Ne do të përdorim të gjitha kapacitet që kemi për të rritur sigurinë në vend. Ky është një incident, nuk është cenuar siguria kombëtare, nuk do e konsideroja turp”, – tha Lleshaj.
“Edhe në vende të tjera kanë ndodhur ngjarje të rënda, kujtoni 11 Shtatorin në SHBA. S’ka asgjë për t’u alarmuar, duhet të jemi të qetë dhe krenarë”, – shtoi Lleshaj.
“Instrumentet tonë funksionuan, Policia e Shtetit reagoi në kohë rekord në mënyrë të paparë. Është vënë përballë një sulmi të armatosur, përballë një grupi kriminal. Ka arritur të sigurojë prova të rëndësishme, që do i shërbejnë hetimit. Jam i bindur, – tha Lleshaj, – se ky proces do sjellë rezultatet që s’i kemi parë kurrë më parë”.
“U rrezikua seriozisht jeta, kjo s’është metaforë. Janë vënë përballë një situate krejtësisht të pallogaritur. Ky grup kriminal është arratisur nga një vend i BE-së. Ky grup ka vrarë polic në një vend të BE-së, por nuk është shpallur turp kombëtar”, – theksoi Ministri i Brendshëm.
“Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mision kushtetues sigurinë kombëtare, nëse konstatojmë se kjo siguri është cenuar, apo thjesht kërcënuar, FA japin kontributin e tyre”, – tha Lleshaj.
“Ata kanë hyrë aty si mbështetje ndaj strukturave të policisë së shtetit. Siguria fizike e aeroportit ishte në një pikë të papranueshme. Jua them miqësisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Jemi krenarë që instrumentet e tjera funksionuan”, – tha Ministri. “Situata në aeroport që nga sot është e padiskutueshme e sigurt”, – garantoi Lleshaj. /j.p/






















