Ballina Aktualitet

Progresraporti në fund të majit do të rekomandojë hapjen e negociatave pa kushte

TIRANË, 11 prill /ATSH-Maela Marini/ – “Progresraporti në fund të majit do të rekomandojë hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në Kuvend ku po shqyrtohet raporti i vitit 2018 lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama iu referua deklaratës së pak ditëve më parë të komisionerit Johannes Hahn, në Komisionin e Politikave të Jashtme të Parlamentit Europian, i cili theksoi pa asnjë ekuivok se, “Shqipëria ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe se progresraporti, i cili do të publikohet në fund të muajit maj, do të rekomandojë pa kushte hapjen e menjëhershme të negociatave për Shqipërinë”.

Rikonfirmimi i i rekomandimit pa kushte për të dytën herë nga ana e Komisionit, sipas Kryeministrit Rama, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete shumë të thjeshtë, që Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësimin në BE.

Por, kreu i qeverisë theksoi se duhet të kuptohet nga të gjithë që “çelja e negociatave është një vendim që merret nga Këshilli Europian, i përbërë prej gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare, bazuar në rekomandimin e Komisionit, por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare”.

“Kjo do të thotë se nëse raporti i Komisionit ndërtohet mbi kritere ekskluzivisht teknike, duke verifikuar një më një kryerjen e të gjitha detyrave të përcaktuara për çeljen e negociatave, vendimmarrja në Këshillin Europian është rezultat i debatit të brendshëm në atë Këshill, që i tejkalon kriteret teknike, dhe ku subjektiviteti politik i vendeve ka rolin e vet”, – tha Rama. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgjarja në aeroport, Lleshaj: Policia u ndesh me rezistencë të armatosur, reagimi në kohë rekord
Artikulli tjetërKontrollet kufitare, Doganat bashkëpunim me partnerët britanikë