10 vjet në NATO përmes eksperiencës së efektivëve në Afganistan

TIRANË, 11 prill /ATSH – A.Fortuzi/ – Efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuara me Aleancën e Atlantikut të Veriut në Herat, Afganistan, kanë uruar përmes një videomesazhi 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.

Në Herat, trupat shqiptare ndodhen që prej vitit 2007 ku deri më sot kanë shërbyer mbi 500 efektivë të Forcave të Armatosura. “Sot, na bëjnë krenarë por edhe na emocionojnë me mesazhet e tyre, për eksperiencën dhe profesionalizmin përkrah efektivëve ushtarakë të vendeve aleate”, tha ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

“Sot festojmë 10-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e NATO-s. Ndjehem krenar që jam pjesë e Forcave të Armatosura dhe NATO-s. I uroj shqiptarëve gëzuar dhe Zoti bekoftë Shqipërinë dhe NATO-n”, tha një prej ushtarakëve të dërguar në misionin e NATO-s.

“Krenar që jam në një mision të tillë”, vijon një tjetër ushtarak. “Kjo është eksperienca ime e parë me NATO-n. Gëzuar 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO!”, – shprehet një tjetër ushtarak.

Në korrik të vitit 2002, u angazhua kontingjenti i parë i FA, në kuadër të Forcave të Koalicionit Kundër Terrorizmit në operacionin ISAF (International Security Assistance Force), në Kabul dhe duke vijuar gradualisht rritjen e përfaqësimit dhe shumëllojshmërinë e angazhimit në detyra, pothuajse në të gjitha komandat rajonale në Afganistan, si në Herat (perëndimore), Mazari-e-Sharif (veriore), Shtabin Qendror ISAF në Kabul, Misionin Trajnues të NATO në Kabul dhe Herat, ekipe OMLT në Kabul, Forca Speciale në Kandahar (jugore) dhe Trajnues të Forcave Speciale në Wardak (lindore). Që nga fillimi e deri në përfundim të operacionit ISAF, FARSH kanë kontribuar me një total prej 3041 ushtarakësh. Në këtë kuadër, janë zhvilluar disa operacione ku ka marrë pjesë dhe Forcat e Armatosura Shqiptare, duke nisur nga tre operacione në Kabul, një në Kandahar dhe operacioni në Herat, në bashkëpunim me palën italiane.

Në kuadër të operacionit në Herat, në gusht 2007, FARSH rrisin kontributin e pjesëmarrjes në operacionin ISAF, me një kompani nga strukturat e BrRSH, KFB, me 112 ushtarakë, në përbërje të kontingjentit italian në Herat.

Gusht 2009, FARSH shtojnë kontributin e pjesëmarrjes në operacionin ISAF, edhe me një kompani nga strukturat e Regjimentit Komando, KFB me 110 ushtarakë, në përbërje të kontingjentit italian ne Herat. Duke filluar nga muaji korrik 2010, të dy këto kontingjente u riorganizuan në një të vetëm (por pa reduktuar numrin), me 222 ushtarakë.

Gjithsej, janë angazhuar me mision në Herat, 1964 ushtarakë, duke vepruar në përbërje të kontingjentit italian. Prej tyre, 500 ushtarakë janë të FA-së shqiptare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.