TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Projekti “NaturAl” vazhdon me mbështetjen konkrete për stafet dhe punonjësit e Agjencive Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve me anë të trajnimeve, vizitave studimore etj.
Në kuadër të Programit për shpëtimin e kafshëve të egra, të iniciuar dhe mbështetur nga projekti “NaturAl”, përfaqësues të Agjencive Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Shkodër, Fier dhe Vlorë janë bërë pjesë e një trajnimi njëjavor në Itali, gjatë të cilit do të takohen me Grupin e Karabinierëve “CITIES”, si një strukturë e cila ka një ekspertizë të madhe lidhur me këtë fushë.
Në ditën e parë të trajnimit përfaqësuesit e Agjencive Kombëtare të Zonave të Mbrojtura zhvilluan një vizitë tek Muzeu i ish-Strukturës së Shërbimit Pyjor të Shtetit. Gjatë kësaj vizite u fol e u diskutua roli dhe përgjegjësitë e strukturave ligjzbatuese për gjuetinë, tregtinë si dhe mbajtjen e kafshëve të egra në mënyrë të paligjshme.
Stafet e AdZM-ve gjatë përditshmërisë së tyre, kryesisht për monitorimin e faunës së egër, hasen herë pas here me fenomene nga më të ndryshme, moratoriumi i gjuetisë ka dhënë produktet e veta, por shpeshherë është problem sjellja me kundravajtësin. /a.a/ /a.g/























