Ballina Flash

Ibrahimi: Ka pasur tentativa për rrëzimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 2 prill/ATSH/- Gent Ibrahimi, Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjatë një interviste televizive theksoi se ka dy raste kur mund të penalizohet një prokuror nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), teksa shton se askush nuk e ka zvarritur ngritjen e kësaj të fundit. Ibrahimi gjithashtu tha se organi Vetingut në disa rende është treguar tejet eksesiv.

“Procesin e krijimit të këshillave nuk e ka zvarritur kërkush, por thjeshtë ka pasur disa tentativa për rrëzimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk e ka pezulluar zbatimin e këtyre ligjeve, kështu që nuk është bërë shkas. Tani të kritikojmë klasën politike vetëm se ndërmori këtë reformë dhe se mund të këpusë degën që krijoi vetë?” – tha Ibrahimi.

Duke folur për Vetingun, Ibrahimi u shpreh se, “problemi që kam me Vetingun është se po tregohet në disa raste pak më eksesiv (i dhunshëm) seç duhet. Në kuptimin që ka raste, siç është ai i zonjës Sevdari, me të cilin organet e Vetingut, në gjykimin tim, kanë keqinterpretuar ligjin. Ligji që kemi ne duke pasur parasysh shkallën e lartë të informalitetit që ekziston në këtë vend, ku ka shumë transaksione ekonomike, financiare që nuk regjistrohen”, – shtoi ai.

Kreu i KLP, Gent Ibrahimi shpjegoi nga ana ligjore arsyet pse nuk mund të ndëshkojnë një prokuror dhe dy rastet kur Kushtetuta ja jep mundësinë për ta ndëshkuar atë.

“Ne nuk mund të ndëshkojmë një prokuror sot. Kjo, sepse nuk ekzistojnë dispozitat ligjore që të parashikojnë shkeljet dhe sanksionet tona. Përjashto rastet ekstreme, kur ne zbatojnë direkt Kushtetutën e cila parashikon dy rastet, kur mund të shkarkohet një prokuror dhe kur mund të pezullohet nga detyra një prokuror. Këto janë raste flagrante, shkelje të rënda të integritetit të figurës publike. Ose kur prokurori dënohet me vendim të formës së prerë. Në këto dy raste ne veprojmë, sepse na autorizon drejtpërdrejtë Kushtetuta. Shkelje të tjera, sanksione të tjera nuk mund të vendosim”, tha Ibrahimi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFUTBOLL – Barazim dhe dëmtime, Gatuzo në telashe
Artikulli tjetërÇuçi: Pikat e grumbullimit, do orientojmë tregun që në prodhim