Çuçi: Pikat e grumbullimit, do orientojmë tregun që në prodhim

TIRANË, 2 prill/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha se pikat e grumbullimit kanë një rol orientues sa i takon prodhimit bujqësor, madje po mendohet dhe të orientohet fermeri në çdo drejtim, çfarë do të prodhojë, sa do të prodhojë dhe kur do ta prodhojë.

“Pika e grumbullimit është moment kyç për sektorin bujqësor, që lidh fermën, mollën me tregun. Prandaj pika e grumbullimit ka eksperiencën dhe ka në informacionin e saj trendin e asaj që kërkohet. Pika e grumbullimit orienton fermerin se çfarë do të prodhojë”, tha Çuçi.

“Ne po shkojmë edhe më larg, po shikojmë mundësinë të orientojmë plotësisht tregun, sa do të mbjellë, kur do e mbjellë, çfarë fare do të përdorë, çfarë plehu. Dhe atëherë, fermeri e ka të sigurt shitjen në treg, dhe atëherë do të pretendojmë rritjen e prodhimit dhe s’do kemi këto problematika”, – vijoi ai.

Ministri Çuçi tha se shteti nuk është përgjegjës për të blerë mollët, ndërsa theksoi se fermerët hasin në vështirësi, sepse nuk kanë kapacitete frigoriferike për të ruajtur prodhimet e tyre.

“Nuk t’i blen shteti mollët. Thuaj se nuk ke kapacitet frigoriferik. Ju erdhët dhe më thatë na rrit çmimin e referencës së mollës nga importi. Cilësia dhe kapacitetet frigoriferike për të ruajtur mollën u mungon”, – shtoi ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.