PRISHTINË, 26 mars/ATSH/ – Qeveria e Kosovës miratoi sot projektligjin për ndalimin e të gjitha lojërave të fatit në afat prej 10 vitesh.
Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se “me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit, përveç Lotarisë së Kosovës”.
“Qëllimi i hartimit është zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet nga qeveria të nisë procedurat ligjore për ndalimin deri në miratimin e ligjit për lojërat e fatit. Me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës “, tha Haradinaj.
Deputetët e Kosovës miratuan disa ditë më parë me 74 vota pro një projektrezolutë që pezullon për 30 ditë lojërat e fatit./ Kosovapress/k.s/j.p/























