Ballina Aktualitet

Punësim i studentëve ekselentë në shërbimin diplomatik

TIRANË, 25 mars/ATSH-Maela Marini/ Së shpejti do të hapet thirrja për punësimin e studentëve ekselentë në shërbimin diplomatik.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare.

“Për pak ditë do të çelim një thirrje tjetër për një numër të rinjsh të diplomuar me 9-ta e me 10-ta në shërbimin tonë diplomatik, në një fazë të dytë që po i bëjmë ristrukturimit të shërbimit për të goditur pasojat e rënda të nepotizmave dhe klientelizmave të së shkuarës. Do të shkojmë më thellë dhe aty thirrja do të jetë për ata që janë më të mirët”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se vlerë e shtuar e protestës së studentëve që nuk kishte të bënte me kërkesat e tyre ishte punësimi i studentëve ekselentë në administratë.

“Kemi filluar me 373 studentët e parë që janë pjesë e administratës. Po përgatitet thirrja e dytë për të gjitha vendet e lira të punës në nivel specialistësh në administratën publike që nuk hyjnë në shërbimin civil, që do të jenë në dispozicion të atyre me 9-ta dhe me 10-ta. Kjo do të bëhet me një renditje preferenciale, fillimisht ata që kanë mbaruar jashtë, pastaj ata që kanë mbaruar në universitetet publike dhe ato private”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se është një rrugë e hapur tashmë. “Portali është i hapur, transparent dhe vendin e punës nuk e përcakton ministri apo ndonjë komision, por përfitojnë ata që kanë rezultate të shkëlqyera. Kjo është një mënyrë efikase për t’i mbyllur rrugën prurjeve nga tepsia”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimi më i madh në 30 vite për infrastrukturën në universitete
Artikulli tjetërBiblioteka elektronike dhe karta e studentit, së shpejti realitet