Ballina Flash

Biblioteka elektronike dhe karta e studentit, së shpejti realitet

TIRANË, 25 mars/ATSH-Maela Marini/ Biblioteka elektronike do të jetë së shpejti e aksesueshme për të gjithë studentët, duke i dhënë një frymëmarrje të jashtëzakonshme kërkimit shkencor.

“Studentët do të kenë akses në miliona artikuj shkencorë dhe qindra-mijëra libra që përdorin në SHBA dhe në Europë”, – tha Rama.

Lidhur me kartën e studentit, Rama tha se “përgatitjet kanë kohë që kanë nisur dhe faza e parë e zbatimit do të fillojë me bashkinë e Tiranës”.

Mbi atë model, sipas Ramës, do të shtrihet edhe zbatimi në qytete të tjera universitare.
Po ashtu, Rama tha se do të garantohet edhe ndërveprimi mes kartës së studentëve shqiptarë dhe kartës europiane të studentëve, që mund të vlejë në një kohë të dytë jashtë vendit.

Lidhur me bordet e administrimit, Rama tha se “bordet ndryshuan tërësisht si reflektim i një tjetër kërkese të studentëve”. Kjo, pasi, sipas Kryeministrit, ata që ishin nuk u treguan në lartësinë e duhur në raport me përgjegjësinë dhe detyrimet e tyre.

“Sot jemi në një stad tjetër dhe kemi cilësi më të mirë, duke pasur parasysh që të gjithë anëtarët e bordeve të rinovuar nuk i ka sjellë askush me zor në këtë proces dhe janë të vetëdijshëm që vijnë në borde edhe si rezultat i kërkesës dhe nevojës së ngritur përmes protestës nga studentët. Kjo rrit vetëdijen dhe përgjegjshmërinë në raport me bordin që nuk është një strukturë për të marrë një bonus dhe për të kaluar radhën, por një element jashtëzakonisht i rëndësishëm i garantimit të autonomisë universitare”, – tha Rama.

Liria e universiteteve për të vendosur, sipas Ramës, duhet të përkthehet edhe si përgjegjësi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPunësim i studentëve ekselentë në shërbimin diplomatik
Artikulli tjetërUniversitetet të realizojnë tri kërkesa kyçe të studentëve