TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga universitetet që të realizojnë tri nga kërkesat kyçe të studentëve, që lidhen me vlerësimin e titujve akademikë, vlerësimin e performancës së pedagogëve dhe tregtinë e librave nga ana e pedagogëve.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare “u-transparenca.al”, Kryeministri Rama theksoi se “nuk dëshiroj të vijë momenti që t’i drejtohemi parlamentit për një zgjidhje alternative, kjo nuk do të harrohet. Ne studentët nuk i tradhëtojmë dhe sidomos në këtë pikë nuk mund t’i tradhëtojmë”.
“Ka tri kërkesa të studentëve, të cilat nuk mund të realizohen dot me ne, por janë kërkesa kyçe. Pra, qeveria nuk mund dot të marrë përsipër realizimin e tyre deri në fund, por mund të mbështesë realizimin e tyre. Konviktet ne mund t’i rindërtojmë pa pyetur universitetet, një investim fizik për një sallë apo laboratorin ne mund ta bëjmë edhe pa kërkuar më shumë sesa leje, por vetingu, apo vlerësimin e titujve akademikë ne nuk e bëjmë dot nëse universiteti nuk e merr dot përsipër”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se vlerësimin e performancës së pedagogëve nga studentët ne nuk bëjmë dot, nëse universiteti nuk e merr përsipër dhe e treta, tregtinë e librave, e teksteve të pedagogëve në këmbim të notave, ne nuk e ndalim dot nëse universiteti nuk e merr përsipër”.
Duke shprehur shqetësimin e tij, Rama tha se “janë tri pika mbi të cilat sundon heshtja prej disa muajsh. Kam parë nga afër një eksperiencë pozitive në Korçë. Universiteti i Korçës, i cili me shumë kurajo dhe mënyrë të admirueshme ka ndërtuar një proces për këtë temë të vlerësimit të titujve akademikë”.
Kam parë, vijoi ai, një segment agresiv në universitet, kundër reformës së arsimit të lartë qysh në ditën e parë, që duke reaguar kundër reformës, kundër ligjit të arsimit të lartë, në emër të një transformimi ndryshe i ikën si djalli temjanit këtyre tri pikave.
Lidhur me përmirësimin e titujve akademikë, Rama tha se “ne morëm përsipër të ndihmojmë për logjistikën, MAS dhe qeveria nuk mund ta bëjnë në kushtet që jemi me legjislacionin që kemi harruar dhe qasjen që kemi zgjedhur vlerësimin e titujve akademikë, sepse është një themeli i moralit të jetës universitare dhe këtë themel do ta garantojë vetëm universitetit”.
Sipas tij, autonomia universitare është një hapësirë, ku përgjegjësia ndaj moralit i takon pikërisht universitetit.
Ndërsa vlerësimin e performancës së studentëve ndaj pedagogëve e bën gjithë bota akademike, është një instrument që nuk krijon gjueti shtrigash, hakmarrje të ngelësve që ju i keni jo me shumicën e duhur, por nuk i keni pak, por i jep mundësi studentëve të shprehen dhe i jep mundësi institucioneve vendimmarrëse, këshillit, senatit, bordit, të marrin disa të dhëna si ndihen studentët per secilin fakultet apo auditor.
Në lidhje me tekstet, Rama theksoi se po presim me padurim që universiteti të veprojë dhe nuk do doja që ne të kundërveprojmë, që t’i drejtohem parlamentit t’i kërkojmë ndihmë për të ndërhyrë.
“Studentët janë në të drejtën e të ardhmes së tyre që të jenë të shqetësuar, me faktin që jo të gjithë pedagogët meritojnë të paguhen nga taksat e shqiptarëve”, shtoi ai.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se “mbajtja në fakultete dhe universitete e sharlatanëve është përgjegjësi e madhe që nuk mund të mbahet mbi shpatullat e kësaj bote universitare, që ne po ndryshojmë hap pas hapi”.
“Çdo ditë hyjnë në universitet sharlatanë që cenojnë moralin e jetës universitare”, – tha Rama. /k.s/j.p/






















