TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të cilat tregonin se investimet e huaja në Shqipëri kishin prekur për herë të parë vlerën e 1 miliard eurove.
Duke theksuar se rritja e besueshmërisë tek ekonomia shqiptare është fakt, Ahmetaj i cilëson këto të dhëna si një tjetër tregues pozitiv për mbylljen e suksesshme të vitit që lamë pas, në termat e treguesve ekonomikë.
“Super ecuri e investimeve të huaja direkte në vitin 2018, duke kapërcyer për herë të parë nivelin mbi 1 miliard euro. Ky është një tjetër tregues pozitiv për mbylljen e suksesshme të vitit që lamë pas, në termat e treguesve ekonomikë. Në tremujorin e fundit 2018, fluksi i investimeve të huaja direkte arriti 273 milionë euro, ose 19% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Përqendrimi kryesor është në sektorin e energjetikës (në masën 59%), të hidrokarbureve (në masën 21%) dhe ndërmjetësimit financiar (në masën 3%). Në total, për vitin 2018 investimet e huaja kapën vlerën rekord 1,02 miliardë euro, ose 14% më shumë se totali i vitit 2017 (rreth 900 mln euro). Rritja e besimit tek ekonomia shqiptare është fakt, por është dhe një alert i rëndësishëm për nevojën e vazhdimit të konsolidimit fiskal dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike, për të ruajtur performancën pozitive të treguesve”, thekson Ahmetaj.
/e.caushi/

























