TIRANË, 23 mars /ATSH A.ALLA/ – Artistët Fatlinda Thaçi- violinë, Orieta Dado- violinë, Firmian Lermer- violë dhe Vlorent Xhafaj- violonçel çelën mbrëmjen e djeshme koncertin e parë për 2019 “Different Trains Festival”.
Në koncertin e djeshëm në Kishën Katolike ” Zemra e Krishtit”, Tiranë artistët sollën për publikun një atmosferë të ngrohtë mes tingujëve të klasikëve botëror. Ata interpretuan pjesë të Haydn- Kuartet op.33 n. 3 ” The Bird”, Webern- Langsamer Satz dhe Mendelssohn- Kuartet op.44 n.1 duke i ndërthurur mjeshtërisht me instrumentat muzikor.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare organizatori i “Different Trains Festival” violinçelisti Vlorent Xhafaj tha se, ”të treja veprat që interpretuan vijnë premierë për publikun shqiptar nën interpretim e 3 artistëve të mirënjohur në skenat botërore”.
”Ky festival është mirëpritur nga publiku shqiptar dhe ne rikthehemi këtë vit me edicionin VIII. Kjo mirëpritje e publikut për këtë festival vjen dhe për shkak të cilësisë së artistëve që interpretojnë dhe për shkak se ne sjellim gjithmonë repertorë të ndryshëm. Ka gjithashtu dhe një publik të ri i cili është i interesuar për të kaluar një mbrëmje ndryshe. Ne mundohemi çdo herë që festivalin ta sjellim në ambiente të ndryshme në teatër, në Akademinë e Arteve , në sallën e Katedrales Orthodokse”, u shpreh Xhafaj.
Ai vijoj se, ”koncerti tjetër është më datë 25 mars në Universitetin e Tiranës ku do interpretojnë solistët e Operas së Parisit me rastin e Pranverës së Frankofonisë. Më pas koncerti do të vazhdojë në muajin maj me artistë si Arben Spahiu duke vazhduar turin dhe në vende të tjera të Shqipërisë siç është Shtëpia Muze e poetit Ndre Mjeda në Kukël, një fshat në zonën e Shkodrës ku Ndre Mjeda ka jetuar dhe brenda shtëpisë ka një kishë dhe është një vend i jashtëzakonshëm për të mbajtur një koncert”.
Firmian Lermer- Violë
Ai është violist dhe pedagog austriak i cili ka marrë pjesë në tre edicione të festivalit dhe është një nga artistët e preferuar të publikut tonë. Firmian Lermer ka kryer studimet në violë në Konservatorin Richard Strauss në Mynih, në vijim në “Mozarteum” në Salzburg, si dhe në Universitetin e muzikës në Vjenë me Thomas Kakuska (Alban Berg Kuartet).
Orieta Dado – violinë
Orieta Dado ka një karrierë të pasur ndërkombëtare me aktivitet solistik, muzikë dhome, orkestral, pedagogjik, si dhe një interes intelektual për lidhjen midis muzikës dhe shkencave humane. Diplomuar ne Universitetin e Cincinatit ne SHBA, ajo mban titullin Doktor i Arteve Muzikore nën udhëheqjen e pedagogëve të nivelit botëror si Kurt Sassmannshaus, Dorothy Delay, e kuartetit ”Tokyo”.
Fatlinda Thaçi- violinë
Në vitin 1993 fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Ndërkombëtar të Tortonës me pianistin Grid Rroji në kategorinë soliste. Në vitin 1994 ajo ndoqi kursin e Maestro S. Accardo në Akademinë e Muzikës së Kremones. Në vitin 1996 ajo ndoqi kursin e muzikës së dhomës në Accademia Chigiana nën drejtimin e Maestro Brengola. Në vitin 1995 u diplomua shkëlqyeshëm në Konservatorin Giuseppe Verdi në Milano. Në vitin 2000 fitoi çmimin e parë të përgjithshëm të Konkursit të Muzikës së Dhomës në Grosseto me pianisten Elda Laro. Gjithashtu në këtë periudhë ajo bashkëpunoi si violinë e parë spalla me G.B. Sammartini i San Donato Milano. Ajo bashkëpunon me Orchestra da Camera Italiana nën drejtimin e Maestro Accardo.
Vilonçelisti Vlorent Xhafaj
Filloi violonçelin në moshën 6-vjeçare. Ka studiuar me prof. Gj. Lazri. Në moshën 16 vjeçare shkon për të studiuar në Francë. Ai ka marrë këshilla dhe ka studiuar me personalitete të tilla muzikore si Alban Berg Kuartet, Philippe Muller, Enrico Dindo, Tilmann Wick, Wenn Sin Yang, Mario Brunello, Anner Bylsma, Miklos Perenyi.
Ka studiuar në Konservatorët Superiore të Paris-it dhe Lyon-it. Në vitin 2004 ai zuri vendin e parë në Conservatoire National Superieur de Musique et de Danse de Lyon, në klasën e Anne Gastinel, ku u cilësua dhe si studenti më i mirë i huaj i Konservatorit. Përfundoi studimet me një diplomë master në violonçel dhe me çmimin e parë të muzikës së dhomës.
Ka qenë anëtar i disa prej orkestrave më të mira për të rinj në botë, të tilla si Pacific Symphony Orchestra, Schlesëig-Holstein Festival Orchestra, Mahler Jugendorchester apo Luzern Festival Academy Orchestra, solist në vitin 2005 dhe 2008, duke luajtur me dirigjentë si Valery Gergiev, Pierre Boulez, Vassily Sinaisky, Alexander Vedernikov, Jakub Hrusa, Neeme Jarvi, Kirill Petrenko etj.
Xhafaj është ftuar rregullisht nga Ensemble Intercontemporain, Orchestre de l’Opera de Lyon, Orchestre de la Suisse Romande, Orchestre National de Belgique, Sydney Symphony Orchestra, Oslo Philarmonic, Odense Synfonieorkester, Royal Philarmonic Orchestra , Orchestre Philarmonique de Strasbourg.






















