Ballina Aktualitet

Balla: Ftesa jonë për opozitën shumë kuptimplote

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ “Sot ne prezantuam ekipin fitues të bashkisë së Tiranës ndërsa në vijim do të prezantojmë ekipet fituese në 61 bashkitë e vendit”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në mbyllje të punimeve të Kongresit të PS-së, Balla doli në një konferencë për shtyp ku lexoi deklaratën e Kongresit si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

“Kongresi i PS-së ka qenë gjithmonë një moment i rëndësishëm politik në vend. Ia dolëm edhe sot të tregojmë se e ardhmja e Shqipërisë është e ardhmja europiane”, tha Balla.

I pyetur mbi ftesën që Kryeministri Edi Rama i drejtoi opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, Balla tha se “Kryeministri ishte shumë i qartë dhe ftesa jonë për opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje ishte shumë kuptimplotë”. “Opozita të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Nëse fitojnë një bashki më shumë se ne, jemi gati në shtator për të përmbushur kërkesat e tjera të opozitës”, tha Balla.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e Presidentit Ilir Meta, Balla tha: “Besoj se pas fjalës së Kryeministrit dhe kryetarit të PS-së sot, vetëm 50 metra në vijë ajrore nga Presidenca, Presidenti është qetësuar se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ne nuk kemi asnjë plan të ekzistojnë ëndrra të këqija si ajo që kishte parë para disa netësh Presidenti i Republikës”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ “Different Trains Festival” nis edicionin e parë për 2019 mes klasikëve botëror dhe kultit
Artikulli tjetërKammerevert: E ardhmja e Shqipërisë në BE, djegia e mandateve e gabuar